Marie Tuci, simbol i qëndresës/Në Shkodër përkujtohet sakrifica e vajzës mirditore që nuk hoqi dorë nga besimi

Sociale | 42 minuta më parë

Kisha Katolike në Shkodër përkujtoi 76-vjetorin e ndarjes nga jeta të martires Marie Tuci, e cila humbi jetën në moshën 22-vjeçare si pasojë e torturave të pësuara gjatë regjimit komunist.

Gjithçka nisi me një procesion nga Katedralja e Shën Shtjefnit, ku besimtarët, duke mbajtur imazhin e së Lumes Marie Tuci, përshkuan rrugët e qytetit në kujtim të sakrificës së saj për besimin.

Mesha përkujtimore u kremtua në Kishën e Motrave Stigmatine dhe u udhëhoq nga meshtari Dom Mark Pashkja, i cili në mesazhin e tij vlerësoi përkushtimin e jashtëzakonshëm të Marie Tucit ndaj fesë dhe qëndresën e saj përballë persekutimit komunist.

“Pse një vajzë 22-vjeçare pranon të vdesë? Pse dikush që e ka jetën përpara, në vend që të bëjë një marrëveshje, të cilën koha e sotme na e paraqet si zotësi dhe diplomaci, pranon të vdesë, por nuk pranon të dorëzohet? Njerëzit e dobët të kësaj bote jetojnë për diçka. Dhe kjo diçka shpeshherë është pushteti, pasuria, ai satisfaksion momental, paraja apo gëzime të ndryshme të kësaj bote. Ndërsa të krishterët, siç na kujton Shën Pali, por edhe e Lumja Marie Tuci, jetojnë për dikë”, u shpreh meshtari Dom Mark pashkja.

Marie Tuci, vajza e re mirditore që nuk hoqi dorë nga besimi edhe përballë torturave, mbetet simbol i dinjitetit njerëzor dhe qëndresës ndaj diktaturës.

Gazetar: M. Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme