Marjeta Ljarja në skenën e “Migjenit”/Ngjitet në natën e dytë të “Gjegju Fest“ me monodramën “Qeni”

Kulturë | 44 minuta më parë

Monodrama “Qeni”, me interpretimin e aktores së njohur Marjeta Ljarja, ishte shfaqja që u prezantua në natën e dytë të festivalit teatror “Gjegju Fest”.

E shkruar në vitin 2022 nga autori Naun Shundi, kjo vepër rikthen në skenë aktoren Marjeta Ljarja përmes një historie që përcjell mesazhe dashurie, besnikërie dhe mirëkuptimi mes njeriut dhe mikut të tij më besnik, qenit.

“Ky është qeni që kemi mbajtur në familjen tonë. E ka mbajtur Rikardi dhe, vërtet, marrëdhënia me kafshën ka vetëm dashuri dhe sinqeritet. Unë mendoj se mesazhet, kur përcillen përmes një pjese me vlerë, siç është kjo, e shkruar nga Naun Shundi, përçohen më lehtë dhe mbahen mend më gjatë. Është diçka që ti nuk ia imponon tjetrit ta bëjë ashtu siç dëshiron ti, por sikur i ngacmon shpirtin, i ngacmon ndërgjegjen dhe e bën të reflektojë më lehtë sesa përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë apo dogmatik, siç mund ta quash. Ka shumë mjeshtëri në këtë pjesë”, u shpreh aktorja Marjeta Ljarja.

Për aktoren e njohur, interpretimi në skenën e teatrit “Migjeni” në Shkodër sjell emocione të veçanta, duke e rikthyer përballë publikut përmes një roli që ndërthur ndjeshmërinë njerëzore me dashurinë për kafshët.

“Më la atë që në fillim e fillova me shumë emocion, si asnjëherë tjetër. Pastaj, me vetëdije, i thashë vetes: “Marjet, mblidhe veten, se pjesa duhet çuar deri në fund”. Natyrisht, gjatë gjithë kohës, sa herë vij në Shkodër, jam me prezencën e Rikardit”, tha ajo

Festivali teatror “Gjegju Fest”, që po zhvillon edicionin e tij të dytë, do të vijojë edhe në netët e ardhshme me shfaqje të tjera në skenën e teatrit “Migjeni”, duke sjellë për publikun shkodran interpretime dhe krijime të ndryshme teatrore.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme