Marrëveshja e Prespës/ Gjykata shqyrton kërkesën për ta shpallur jokushtetuese

Maqedonia e Veriut | 3 vite më parë

Marrëveshja e Prespës iu shtrua të enjten (21 shtator) për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.

Megjithëse prej arritjes së saj mes Greqisë dhe palës maqedonase në vitin 2018, janë përmirësuar raportet mes dy fqinjëve ballkanikë, Kryetari i Kongresit Botëror Maqedonas, Todor Petrov dhe të tjerë pretendojnë se “dekreti për shpalljen e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Përfundimtare nuk është nënshkruar nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë, gjë që e bën atë akt në kundërshtim me nenin 51 të Kushtetutës.“

Sipas paditësve, “Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë nuk ka pasur kompetencë të konstatojë përgjegjësi se Presidenti i Republikës e ka shkelur Kushtetutën duke mos firmosur dhe Presidenti i Shtetit nuk është penguar të kryejë funksionin, për t’u zëvendësuar nga Kryetari i Kuvendit, pra për të nënshkruar dekretin, me të cilin thuhet se shkelet Kushtetuta në nenin 82,” thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

GJK-ja maqedonase ka hedhur poshtë më parë edhe një pretendim tjetër për marrëveshjen, të parashtruar nga profesoresha Tanja Karakamisheva në vitin 2019, në të cilën supozohej se me Marrëveshjen e Prespës i është shkelur e drejta për ndalim nga diskriminimi dhe e drejta e lirisë të të menduarit dhe shprehurit.

Marrëveshja ose Traktati i Prespës u arrit nga qeveria e Aleksis Ciprasit në Greqi dhe Zoran Zaevit në Maqedoni me ndërhyrjen edhe të Kombeve të Bashkuara. Ajo zgjidhi një konflikt të gjatë për çështjen e emrit të Maqedonisë, duke e riemërtuar në shtetin e Maqedonisë së Veriut, si edhe i hapi rrugë bashkëpunimit strategjik mes Greqisë dhe Maqedonisë V.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme