Marshim në Tiranë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut

Studentë nga Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Prishtinës janë grumbulluar këtë të hënë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në një tubim solidariteti për mbrojtjen e të drejtave gjuhësore të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Shkak për këtë reagim është bërë kërkesa e këtyre të fundit për lejimin e zhvillimit të provimeve akademike në gjuhën shqipe.
Me moton “Shqiptaria është me Shkupin”, protestuesit filluan një marshim drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë. Pjesëmarrësit mbanin flamuj kombëtarë dhe pankarta me mbishkrimin “Ne jemi bashkë”, teksa në nisje të tubimit u këndua himni kombëtar.
Organizatorët specifikuan se ky organizim ka karakter të pastër kombëtar dhe akademik, duke refuzuar çdo tendencë për përdorim elektoral apo partiak.
Tubimi bëri bashkë të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët artikuluan nevojën për respektimin e marrëveshjeve për përdorimin e gjuhës së pakicave në institucionet e arsimit të lartë.
“Ne nuk kërkojmë privilegje, por barazi dhe respekt për gjuhën tonë. Gjuha shqipe është identiteti ynë dhe amaneti i brezave”, deklaroi një student nga Maqedonia e Veriut.
Kërkesat e studentëve pritet t’u përcillen zyrtarisht autoriteteve përkatëse në Shkup.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




