Mashtrim, kërcënime dhe punë e detyruar, SPAK dërgon në gjyq tre ukrainas që mbanin peng bashkëkombësit në Vlorë

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre shtetas ukrainas, të akuzuar si krerët e një grupi të strukturuar kriminal që mashtronte, trafikonte dhe shfrytëzonte njerëz për punë të detyruar në qytetin e Vlorës. Rrjeti, i cili maskohej si një mundësi punësimi në zyra, dyshohet se është pjesë e një karteli më të madh ndërkombëtar të trafikut të drogës që operon në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.
Zanafilla e zbulimit dhe “Modus Operandi”
Hetimet nisën më 11 nëntor 2024, pas një alarmi të ngritur nga Ambasada e Ukrainës në Tiranë. Një ankesë elektronike raportonte se një shtetas ukrainas (i identifikuar si Z. M.) mbahej peng dhe detyrohej të punonte kundër vullnetit të tij në Vlorë.
Ndërhyrja e policisë në një banesë me qira në lagjen “Demokracia” zbuloi një skemë të mirëfilltë shfrytëzimi. Aty u gjetën disa ukrainas që punonin me laptopë, të cilët përmes programeve automatike dërgonin mesazhe dhe linqe për të rekrutuar persona të tjerë në rrjetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike në Evropën Lindore.
Si funksiononte rrjeti i rekrutimit?
Gjatë hetimeve u zbulua se viktimat binin pre e një skeme të sofistikuar mashtrimi. Rekrutimi bëhej përmes aplikacionit Telegram, ku u premtohej një punë e sigurt zyre në Poloni.
Para se të dërgoheshin në Shqipëri, viktimat i nënshtroheshin një interviste dhe një makine të së vërtetës (poligraf) në Varshavë, pa e ditur natyrën reale të punës.
Me të mbërritur në Vlorë, atyre u sekuestroheshin pasaportat (policia gjeti 24 pasaporta të tilla në tre ambiente të ndryshme).
Për t’i penguar të largoheshin, organizatorët u tregonin vazhdimisht video dhune ku anëtarë të tjerë të grupit rriheshin barbarisht pasi nuk kishin arritur “rezultatet e kërkuara në punë”.
Të pandehurit dhe pseudonimet e tyre
Për të fshehur gjurmët, askush nuk lejohej të përdorte emrin e vërtetë. Të gjithë thirreshin me pseudonime. SPAK ka ngritur akuza zyrtare për Nazar Khamuilo (i njohur si “Kika”), aktualisht në “arrest në burg”; Mark Petrenko (i njohur si “E Premtja”), aktualisht në “arrest në burg”; Karol Oskiera (i njohur si “Veterineri”), me masë sigurimi “arrest në burg” (në mungesë, i paekzekutuar).
Ata akuzohen për “Trafikim të personave të rritur”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal. Ndërkohë, SPAK ka pushuar akuzat për tre shtetas të tjerë ukrainas të përfshirë fillimisht në këtë procedim (Oleh Kulsha, Marianna Syzareva dhe Oleksander Tavorskyi).
Në përfundim të njoftimit, SPAK falënderoi Agjencinë Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA) dhe Autoritetet Gjyqësore Ukrainase për mbështetjen e tyre thelbësore në shkatërrimin e kësaj celule kriminale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




