Mazniku: Bashkitë nuk janë shkrirë, por janë bashkuar
Deputeti socialist dhe ish-bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, ka shpjeguar procesin e reformës administrativo-territoriale, duke theksuar se ndryshimet synojnë riorganizimin e pushtetit vendor dhe jo “shkrirjen” e bashkive.
Në një intervistë në emisionin “3D” me Alban Dudushin, Mazniku u shpreh se termi i saktë është bashkim i njësive administrative dhe jo shkrirje e tyre.
“Unë them se ato bashkohen, nuk shkrihen. Ashtu siç ka ndodhur edhe më parë me njësi të tjera administrative, bëhet fjalë për një proces bashkimi dhe riorganizimi”, deklaroi ai.
Duke folur për reformën e re territoriale, Mazniku tha se ajo është parashikuar qartë në programin e Partisë Socialiste për zgjedhjet e vitit 2025. Sipas tij, në kapitullin që i kushtohet pushtetit vendor është përfshirë pika e parë që flet për “Reformën Administrative 2.0”.
“Reforma është e shkruar në programin e Partisë Socialiste për zgjedhjet e vitit 2025 dhe gjendet në kapitullin e posaçëm për mbështetjen e pushtetit vendor. Aty, pika e parë flet pikërisht për Reformën Administrative 2.0”, tha Mazniku.
Ai theksoi se një reformë e tillë kërkon konsultim të gjerë me qytetarët dhe pranoi se gjithmonë mund të ketë më shumë komunikim publik. Megjithatë, sipas tij, procesi i zhvilluar deri tani ka qenë ndër më gjithëpërfshirësit.
Mazniku vuri në dukje se diskutimet për reformën janë zhvilluar në të 11 qarqet e vendit, me pjesëmarrjen e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, si dhe të qytetarëve, të cilët kanë pasur mundësi të shprehin lirisht mendimet e tyre.
“Kur ka qenë hera e fundit që një reformë apo një ligj është diskutuar së bashku nga deputetë të Partisë Socialiste dhe të opozitës në 11 qarqet e vendit, në salla të mbushura me qytetarë?”, pyeti ai.
Sipas Maznikut, Partia Socialiste ka qenë prej kohësh e bindur se disa bashki nuk funksionojnë në mënyrë efikase, por sfida qëndron në gjetjen e ekuilibrit mes eficiencës administrative dhe nevojës së qytetarëve për përfaqësim.
Ai kujtoi se Kryeministri Edi Rama ka folur prej më shumë se një dekade për problematikat e disa bashkive, ndërsa nënvizoi se përpjekje të ngjashme për reformim kanë ekzistuar edhe më herët.
“Ka pasur edhe më herët diskutime dhe komisione që kanë arritur në përfundime të ngjashme. Problemi ka qenë mungesa e numrave të nevojshëm dhe e potencialit politik për ta çuar reformën përpara”, deklaroi Mazniku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




