Më 26 maj konferenca ndërqeveritare Shqipëri-BE, Rama: Hapim fazën përfundimtare të negociatave, opozita kërkoi të dëmtonte vendin

Politikë | 5 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe zhvillimet e fundit në raport me negociatat me Bashkimin Europian.

Në një komunikim publik gjatë “Shënimeve të Javës”, Rama u ndal te Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian që do të zhvillohet më 26 maj, të cilën e cilësoi si një moment të rëndësishëm për rrugën europiane të vendit.

Sipas kreut të qeverisë, në Bruksel është zhvilluar procesi i ballafaqimit mes Komisionit Europian dhe shteteve anëtare për raportin mbi detyrat e përmbushura nga Shqipëria pas çeljes së kapitujve të negociatave.

Rama akuzoi opozitën se gjatë kësaj periudhe është përpjekur të dëmtojë imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare përmes protestave dhe akteve të dhunshme.

Ai shtoi se opozita, sipas tij, ka tentuar të bindë partnerët europianë se rruga e Shqipërisë drejt BE-së ishte bllokuar dhe se qeveria shqiptare ndodhej në izolim.

“Por, ashtu siç dhe dihej, shënimi i shënimeve është ai që lidhet me ballafaqimin mes Komisionit Europian dhe shteteve anëtare në Bruksel, për raportin e detyrave të kryera nga Shqipëria pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave. Ai ballafaqim mori kohën e vet, në ndërkohë që “molotovarët” e Tiranës u lëshuan të dëshpëruar në një ofensivë të pashoqe energjie negative, u lëshuan rrugëve për ta djegur medoemos Shqipërinë në sytë e botës, gëzonin si fëmijët kur fotot e kazanëve me flakë apo të molotovëve e flakadanëve që hidheshin nëpër Tiranë bënin xhiro në median e botës. Mblidh benzinë e hidh bombë artizanale me vandalë të paguar, u lëshuan po ashtu kanaleve e portaleve të Shqipërisë për t’i helmuar shqiptarët.

Mblidh e hidh jargë urrejtjeje politike, pasqyrë më pasqyrë, u lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi proverbial krejt edhe ajo çka ndodhi me të ashtuquajturën vizitë treditore në Ministrinë e Jashtme në Berlin. Në fakt, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e partnerëve tanë, kudo ku ishte e mundur, mblidhu e hidhu lart e poshtë për të kërkuar ndëshkim, bllokim, izolim për Shqipërinë, duke lënë kokrrën e namit si asnjë opozitë tjetër në historinë e integrimeve europiane të vendeve që sot janë pjesë e Bashkimit Europian apo synojnë të bashkohen me të. Thanë se rruga europiane ishte e bllokuar, thanë se Shqipëria ishte më në fund e ndëshkuar, thanë se qeveria jonë ishte krejt e izoluar. U gënjyen, u gënjyen, se gjithnjë nga ajo mendja e tyre e cekët dhe e mbrapshtë dhe, në fund, në fund, humbën me turp dhe Shqipëria fitoi përsëri me mund, me dinjitet dhe me krenari”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri–BE do të vulosë përmbylljen me sukses të fazës hyrëse dhe do të hapë fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

“Kështu, më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Europian vulos përmbylljen me sukses të fazës hyrëse dhe hap fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kemi ngjitur një tjetër lartësi të vështirë drejt majës, ku do të arrijmë me çdo kusht brenda kësaj dekade dhe ku do të vendosim flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit aty, në oborrin e shtëpisë së madhe të Europës së Bashkuar”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme