Më 9 shtator mblidhet kuvendi i Kosovës, Dehari: Vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja

Kosovë | 2 muaj më parë

Në përpjekje për të krijuar institucionet e reja të Kosovës dhe për t’i dhënë fund krizës pothuajse dyvjeçare politike, deputeti më i vjetër i legjislaturës së 11-të Avni Dehari thirri më 9 shtator seancën për konstituimin e Kuvendit.

Dehari tha se vendimin e mori pas marrëveshjes së arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën e sheh si lajm të mirë për vendin.

“Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00”- thuhet në njoftimin e publikuar nga kryesuesi i seancës.

Ai u bëri thirrje deputetëve që deri atëherë të tregojnë gatishmëri për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese.

“Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”- shkruan Dehari.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë gushtit u mblodhën dy herë për konstituimin e legjislaturës së re, por seancat u shtynë me kërkesë të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili kërkoi më parë arritjen e një marrëveshjeje politike për Presidentin.

Një pakt i tillë me emrin e kandidatit Bekim Sejdiu u arrit mes Kurtit dhe kreut të LDK Abdixhiku, por 6 deputetë të asaj partie e kundërshtojnë.

Ndërsa nga fillimi i gushtit , deputetët e dy partive të tjera PDK dhe AAK kanë këmbëngulur për mbajtjen konstituimin e Kuvendit duke protestuar çdo ditë para godinës së qeverisë dhe në sallën e seancave plenare.

  /rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme