“Me hundë të gjakosur dhe shenja kafshimi”, arrestohet aktorja amerikane Selma Blair, sulmoi dy stjuardesa gjatë fluturimit

Aktorja amerikane Selma Blair është arrestuar pas një incidenti në bordin e një avioni të Delta Airlines, që po fluturonte nga Los Anxhelosi drejt Nju Jorkut. Sipas autoriteteve aktorja sulmoi dy stjuardesa, të cilat u lënduan gjatë ngjarjes dhe u dërguan në spital pas uljes së avionit.
FBI ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa autoritetet thanë se aktorja kishte shfaqur sjellje fizike agresive ndaj pjesëtarëve të ekuipazhit, ndërsa stjuardesat përfunduan me “hundë të gjakosur si dhe disa shenja kafshimi”.
Pas uljes së avionit në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy, në Nju Jork, Blair u arrestua dhe u dërgua gjithashtu në spital.
Përfaqësuesit e aktores thanë për incidentin se Blair kishte përjetuar një emergjencë mjekësore, e cila, sipas saj, çoi në sjelljen e pretenduar gjatë fluturimit.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, ekuipazhi dyshohet se e mbajti aktoren të lidhur gjatë fluturimit.
Selma Blair, 54 vjeçe, është e njohur për rolet e saj në filmat Legally Blonde, Hellboy dhe Cruel Intentions.
Aktorja u tërhoq pjesërisht nga aktiviteti kinematografik pas diagnostikimit me sklerozë multiple në vitin 2018.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




