Bien lindjet në Shqipëri/ 6-mujori i parë i 2026-s me shifrat më të ulëta të viteve të fundit

Shëndet | 2 muaj më parë

Bilanci i gjashtëmujorit të parë të këtij viti ka shënuar një numër në ulje të lindjeve krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë se, nga periudha janar-qershor 2026, në rang vendi rezulton të ketë pasur 10.229 lindje gjithsej, ku 5.146 foshnje u lindën në tremujorin e parë të vitit dhe 5.083 në të dytin. Psikologia Elona Mustafaraj liston disa prej shkaqeve kryesore.

“E para ka të bëjë me pasigurinë e individit për punën, ekonominë, për mundësinë e kushteve të cilat mund t’u ofrohen fëmijëve në një të ardhme. Së dyti, pra, nëse më përpara te detyrat e të rinjve kanë qenë të përcaktuara martesa, krijimi i familjes e të tjera, sot nuk janë më këto detyra në aspektin social për t’u zhvilluar. Së treti, do të listoja pikërisht pjesën e pasigurisë së marrëdhënieve. Sot lindjet ndodhin në një moshë më të rritur, çka do të thotë dhe mundësia për të pasur shumë lindje apo fëmijë ulet ndjeshëm krahasuar biologjikisht, krahasuar me shumë vite më përpara”, tha psikologia Elona Mustafaraj.

Shifrat e tremujorit të dytë të vitit 2026 shënojnë nivelin më të ulët të lindjeve në vitet e fundit. Më shumë bebe u lindën në Dibër, me një përqindje prej 14.6%, ndërsa rënie të theksuar regjistroi qarku i Tiranës, me 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Në vija të përgjithshme, mund të themi që ruajtja e traditave të forta, e familjeve të mëdha, e marrëdhënieve të ngushta familjare dhe fisnore mund të jetë një element i cili çon edhe në lindjen e një numri më të madh fëmijësh, por ndoshta edhe martesat, të cilat kryhen më herët”, tha ajo.

Vendimi për të sjellë në jetë një fëmijë nuk është vetëm një akt dashurie, por edhe një proces që na sfidon ekonomikisht dhe psikologjikisht.

Gazetare: E. Hasanbelli     

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme