Meghan Markle e tronditur nga akuzat ndaj të atit: U distancova për të mbrojtur fëmijët e mi

Botë | 23 minuta më parë

Meghan Markle ka reaguar pas publikimit të akuzave të rënda ndaj babait të saj, Thomas Markle, i cili dyshohet se kishte mbajtur imazhe të abuzimit seksual të fëmijëve në banesën e tij të mëparshme në Filipine. Dukesha e Sussex-it tha se është thellësisht e tronditur nga informacionet e bëra publike, ndërsa theksoi se vendimi për t’u distancuar nga i ati dhe për të mos lejuar kontaktin e tij me fëmijët e saj kishte si qëllim mbrojtjen e tyre. (Foto: Reuters/Shutterstock)

“Jam thellësisht e tronditur nga lajmet që kanë dalë në dritë gjatë 24 orëve të fundit dhe mendimet e mia janë me çdo fëmijë që mund të jetë dëmtuar”, deklaroi Meghan në një reagim për Sky News.

Ajo zbuloi gjithashtu se që në vitin 2018, pas martesës me Princin Harry, një letër me akuza shqetësuese ndaj babait të saj ishte dërguar në Policinë Metropolitane të Londrës dhe në njësinë përgjegjëse për mbrojtjen e familjes mbretërore. Sipas Meghan, përmbajtja e letrës iu bë e ditur edhe asaj dhe autoritetet e siguruan se pretendimet po hetoheshin.

“Shpresoj që tani të kuptohet se, pavarësisht shtrembërimeve të disa mediave ndër vite, distancimi im nga babai dhe vendimi për të mos e lejuar të ketë kontakt me fëmijët tanë kishin vetëm një arsye: t’i mbroja ata”, u shpreh ajo.

Meghan shtoi se kishte besuar se autoritetet po punonin për të mbrojtur edhe familjet e tjera. Ajo kërkoi që drejtësia të vihet në vend dhe që siguria e fëmijëve të pafajshëm të mbetet përparësi.

Akuzat u publikuan fillimisht nga tabloidi britanik “The Sun”. Sipas raportimit, vëllai i Meghan, Thomas Markle Jr., pretendon se kishte gjetur qindra, madje mijëra imazhe të dyshuara të abuzimit seksual të fëmijëve, në pajisje elektronike të vendosura mes sendeve personale në banesën e mëparshme të të atit, në qytetin Cebu të Filipineve. Ai tha se kishte njoftuar policinë filipinase dhe kishte kontaktuar edhe autoritetet amerikane, përfshirë FBI-në.

Thomas Markle i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si “gënjeshtra të neveritshme”. Deri më tani, pretendimet nuk janë provuar dhe hetimet vijojnë.
Meghan dhe babai i saj janë të distancuar që prej vitit 2018, kur Thomas Markle nuk mori pjesë në dasmën e saj me Princin Harry. Ai nuk ka takuar as fëmijët e çiftit, Princin Archie dhe Princeshën Lilibet.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme