Mes 100 personave më të kërkuarve në Itali për vrasje, ekstradohen nga Shqipëria drejt shtetit fqinj dy kushërinjtë nga Dibra

Dy shtetas shqiptarë, të dënuar për vrasje në Itali, u ekstraduan sot nga Interpol Tirana drejt Napolit, pas kapjes së tyre në mars 2025 gjatë operacionit policor të koduar “Difficult Conditions”.
Andon (alias Afrim) Sina, 52 vjeç, dhe Niko (alias Faslli) Sina, 49 vjeç, banues në fshatin Rreth-Kalë të Dibrës, ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe renditeshin në listën e 100 personave më të kërkuar në Itali. Ata ishin fshehur prej vitit 1999 në Dibër, duke përdorur identitete të tjera.
Operacioni për kapjen e tyre u zhvillua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Zyrën e Ekspertit për Sigurinë në Shqipëri dhe Shërbimin për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë.
Dy kushërinjtë janë dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit e Napolit në vitin 2006, me nga 14 vjet e 11 muaj burgim secili, për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer në bashkëpunim” dhe “Vrasja e mbetur në tentativë”.
Ngjarja për të cilën u shpallën fajtorë ka ndodhur më 22 shtator 1999 në komunën Gricignano d’Aversa, ku ata kanë vrarë me sende të forta dhe mjete prerëse shtetasin shqiptar B. C., si dhe kanë plagosur rëndë shtetasin shqiptar F. S., për shkak të ndarjes së të ardhurave nga aktivitete të paligjshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



