Millorad Gjokoviq dënohet me 10 vjet burg për krime lufte në Kosovë

Kosovë | 48 minuta më parë

Millorad Gjokoviq, i akuzuar për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë, është dënuar me 10 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 23 qershor 2023, Gjokoviq akuzohej se gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe zonat përreth, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në veprime kundër popullsisë civile shqiptare, përfshirë vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, si dhe dëbim e deportim të civilëve.

Në aktakuzë thuhet se forcat serbe kishin hyrë në fshatin Ozdrim nga disa drejtime, duke hapur zjarr ndaj popullsisë civile. Si pasojë u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptar: I.K., Sh.K., E.M., R.Sh., Z.Sh. dhe M.H. Po ashtu, tre civilë të tjerë, A.G., H.G. dhe M.G., pas plagosjes u transportuan fillimisht në spitalin e Pejës dhe më pas, sipas aktakuzës, u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë.

Aktakuza përmend gjithashtu se pesë civilë të tjerë shqiptarë, R.K., Z.K., A.K., A.K. dhe A.Sh., u vranë gjatë ofensivës, por trupat e tyre nuk janë gjetur asnjëherë dhe vazhdojnë të figurojnë si persona të zhdukur.

Përveç krimeve ndaj civilëve, Gjokoviq akuzohej edhe për plaçkitjen, djegien dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë shqiptare në rajonin e Pejës.

Gjykata e shpalli fajtor për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, të sanksionuar në nenin 142, lidhur me nenin 22 të Kodit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ligji që ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprave për të cilat ai u gjykua.

Atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme