Ministri Hoxha, javën e ardhshme vizitë zyrtare në Spanjë

Politikë | 7 muaj më parë

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka pritur sot në një takim Ambasadorin e Spanjës në Tiranë, Gabriel Cremades Ventura.

Takimi u zhvillua në kuadër të 40-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Spanjës, duke shënuar një moment të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.

Ministri Hoxha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë si një partner të qëndrueshëm dhe të besueshëm në rrugëtimin evropian të vendit tonë.

Në takim u diskutua edhe për vizitën zyrtare të Ministrit Hoxha në Spanjë javën e ardhshme, e cila pritet të kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe në afrimin e mëtejshëm të dy vendeve.

Sipas Ministrit, hapësirat për bashkëpunim janë të shumta dhe përfshijnë sektorë me potencial të madh si turizmi, energjia e rinovueshme, infrastruktura dhe agro-industria.

Ai përmendi shembullin e kompanisë “Meliá Hotels International”, e cila ka hapur rrugën për një prani më të madhe spanjolle në sektorin e turizmit në Shqipëri.

“Vizita ime në Spanjë do të shërbejë për të forcuar partneritetin dhe për të krijuar mundësi të reja bashkëpunimi në fusha që kanë rëndësi strategjike për zhvillimin e vendit,” u shpreh Hoxha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme