Ministri i Drejtësisë thërret në takim drejtorët e burgjeve: Transferim i personave me rrezikshmëri, SHKB të shtojë kontrollet

Aktualitet | 9 muaj më parë

Pas shkarkimit të drejtorit të IEVP Durrës, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, mblodhi sot pasdite në një takim drejtuesit e burgjeve në vend, të cilëve iu kërkoi masa të menjëhershme për forcimin e kontrollit, rritjen e sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve të paligjshme nëpër burgje.

Gjatë takimit, Ministri Lamallari ka kërkuar masa drastike për të rivendosur rendin dhe sigurinë. Urdhri kryesor lidhet me rishikimin e sigurisë në IEVP Durrës dhe zhvendosjen e të burgosurve problematikë.

“Thirra sot një takim të posaçëm me drejtuesit e të gjitha Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në vend. Pas shkarkimit të drejtorit të IEVP Durrës pas ngjarjes së rëndë dhe pezullimit të menjëhershëm të të gjithë zinxhirit përgjegjës, kam kërkuar masa urgjente për forcimin e kontrollit, rritjen e sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve të paligjshme nëpër burgje. Kërkova nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të bëjë një vlerësim të parametrave të sigurisë dhe rishpërndarjes së IEVP Durrës, duke konsideruar transferimin e të dënuarve apo paraburgosurve me rrezikshmëri në burgje të sigurisë së lartë,” deklaroi Lamallari.

Përveç lëvizjes së të burgosurve, Ministri ka vënë në lëvizje edhe Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm (SHKB). Ai ka urdhëruar shpeshtimin e kontrolleve befasuese në të gjitha burgjet e Shqipërisë, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të paligjshme, si celularë apo lëndë narkotike.

”Kam urdhëruar Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve të shpeshtojë kontrollet në të gjitha IEVP-të e vendit, për të parandaluar çdo tentativë të mundshme për cenim të sigurisë. Siguria në burgje është një prioritet absolut dhe nuk do të tolerohet asnjë formë neglizhence apo shkeljeje e procedurave standarde.” theksoi Ministri, duke paralajmëruar se kushdo që cenon autoritetin e ligjit do të përballet me pasoja ligjore.

Sipas tij, çdo tentativë për të sfiduar rendin, sigurinë dhe autoritetin e ligjit nëpër burgje cenon gjithashtu sigurinë publike, besimin dhe bashkëpunimin me agjenicitë ligjzbatuese dhe institucionet e drejtësisë.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme