Ministria e Mbrojtjes bën bilancin e zjarreve: 15 vatra në të gjithë vendin, 7 ende aktive, ndërhyrje me mbi 200 forca dhe mjete nga ajri

Aktualitet | 2 muaj më parë

Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e situatës së zjarreve në vend deri në orën 14:00, duke njoftuar se janë raportuar 15 vatra, nga të cilat 7 mbeten aktive dhe 8 janë nën mbikëqyrje.

Në operacionet e sotme janë angazhuar në total 213 forca, prej të cilave 153 forca operacionale dhe 60 efektivë të Forcave të Armatosura. Në dispozicion janë 10 mjete zjarrfikëse, 1 ekskavator i rëndë me zinxhir, ndërsa operacionet nga ajri mbështeten nga 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Ndër vatrat aktive, në Malin e Dajtit vijon ndërhyrja me 15 zjarrfikës dhe 30 efektivë të FA-së, të mbështetur nga 1 helikopter, pa rrezik për zonat e banuara.

Në Qafë të Helmes, Bulqizë, 11 efektivë të MZSH-së po punojnë për kontrollin e dy vatrave aktive në sipërfaqe pyjore.

Në Tenë, Mirditë, situata paraqitet e stabilizuar dhe në terren vijojnë 27 forca të MZSH-së, Shërbimit Pyjor dhe bashkisë, ndërsa në Shtuf vatra ka intensitet të ulët dhe po monitorohet nga strukturat vendore.

Në Prozhem, Pukë, vijon operacioni me 3 mjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë, 13 forca të Shërbimit Pyjor dhe banorë të zonës, si dhe 30 efektivë të FA-së.

Situata në Gojan–Gjegjan ndërkohë është përmirësuar ndjeshëm, me vatrat të izoluara ose të fikura dhe nën mbikëqyrje.

Vëmendja kryesore është në Krastë të Krujës, ku vatra paraqitet me intensitet dhe pranë zonave të banuara. Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Krujës, me mbështetje nga Kamza dhe Vora, ndërsa po ndërhyhet nga ajri me 1 helikopter.

Në Malin e Çikës mbi Palasë, operacioni për fikjen përfundimtare mbështetet nga 2 avionë Air Tractor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme