Ministria e Shëndetësisë jep informacion mbi të lënduarit, 3 persona në Spitalin e Traumës, përgënjeshtrohet lajmi për viktimë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (MSHMS) ka nxjerrë një njoftim zyrtar lidhur me gjendjen e personave të lënduar që kanë mbërritur në Spitalin Universitar të Traumës deri në orën 16:00.
Sipas të dhënave zyrtare të MSHMS-së, pranë kësaj qendre spitalore kanë marrë ndihmë mjekësore tre persona: një efektiv policie, një 15-vjeçar dhe një përfaqësuese e medias. Institucioni bën me dije se “gjendja e tyre është stabël, po kryejnë ekzaminimet dhe po marrin trajtimin nga stafet mjekësore dhe infermierore”.
Paralelisht me azhornimin mbi gjendjen shëndetësore të të lënduarve, Ministria reagoi ndaj spekulimeve të shpërndara në rrjete sociale dhe disa kanale informimi. Autoritetet e “përgënjeshtrojnë kategorikisht lajmin që po qarkullon për humbjen e jetës së një të mituri, duke theksuar se ky informacion është i pavërtetë”.
Në përmbyllje të deklaratës, MSHMS-ja iu drejtua mjeteve të informimit masiv dhe qytetarëve me një thirrje për maturi informuese: “U bëjmë thirrje mediave dhe opinionit publik të tregojnë përgjegjësi në verifikimin dhe shpërndarjen e informacioneve, për të shmangur përhapjen e lajmeve të rreme që shkaktojnë panik, shqetësim te familjarët dhe tensione të panevojshme nё opinionin publik”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




