Ministrja Ibrahimaj: Monitorojmë çdo ditë çmimet e karburantit dhe ushqimeve, nuk do të lejojmë abuzime
Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të mërkurë, një bashkëbisedim me furnizuesit e naftës pas rritjes globale të çmimeve të karburantit, si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Gjatë fjalës të saj ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se ky është takimi i tretë me përfaqësuesit kryesorë të tregut të hidrokarbureve, si të shumicës ashtu edhe të pakicës, me qëllim analizimin e situatës.
“Shqetësimi ynë kryesor si fillim ishte disponueshmëria e rezervës së detyrueshme, pasi nga eksperiencat e krizave të mëparshme meraku i parë ishte se me bllokimin e kanalit të Hormuzit do të kishte ndërprerje të zinxhirit të furnizimit. Nga bisedat me tregtarët dhe nga kontrollet e kryera në rezervat e tyre, rezulton se rezervat ligjore janë të respektuara dhe kanalet e furnizimit garantojnë mosndërprerje, falë kontratave afatgjata që kompanitë kanë me furnitorët,” u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja shtoi se pas furnizimit, shqetësimi tjetër lidhet me çmimet, që sikurse ajo theksoi “Patjetër që jemi të shqetësuar me çmimet në tregun e karburanteve, që është tema kryesore e takimit, por nuk jemi të përqendruar vetëm aty. Jemi duke analizuar situatën e çmimeve në tërësi, për të garantuar se nuk do të ketë abuzime, jo vetëm nga tregtarët e karburanteve, por edhe nga ata të ushqimeve.
Sipas Ibrahimajt, bursat e karburanteve kanë pasur luhatje të jashtëzakonshme që nga muaji shkurt.
“Mesatarja e çmimeve në shkurt ishte 700 dollarë, ndërsa piku në ditët e fundit ka arritur deri në 1200. Ndërkohë, në Shqipëri rritja nuk ka qenë më e madhe se 10-15%, duke reflektuar lëvizjet e bursës,” theksoi ministrja.
Ajo rikujtoi se gjatë krizës së luftës në Ukrainë u krijua “Bordi i Karburanteve”, i cili përcaktonte çmimin maksimal të tregtimit përmes një formule të kostos dhe një marzhi të kufizuar për shumicën dhe pakicën.
“Ende nuk jemi në ato kushte për ta ngritur sërish këtë bord, edhe pse hapësira ligjore ekziston. Por, nëse do të shohim luhatje dhe abuzime, do të futemi në atë regjim, sepse parësore për ne është mbrojtja e konsumatorit,” paralajmëroi Ibrahimaj.
Ministrja bëri të ditur se është ngritur një ekip i përbashkët nga tre ministri dhe agjenci të ndryshme, që monitoron çmimet e zhdoganimit, taksat dhe TVSH, si dhe çmimet në tabelat e pakicës.
“Nëpërmjet këtij bashkërendimi kemi arritur të kemi një marzh të kontrolluar, që rritja e çmimeve të mos reflektohet në rritjen e fitimeve të kompanive,” tha ajo.
Nga ana tjetër, Ibrahimaj theksoi se po monitorohen çdo ditë edhe çmimet e ushqimeve bazë.
“Kemi identifikuar 70% të produkteve të shportës dhe po i ndjekim në disa pika tregtimi. Deri tani nuk ka pasur luhatje të shkaktuara nga sjellje abuzive të tregtarëve,” përfundoi ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




