Ministrja Sala zbardh buxhetin për shëndetësinë: Të gjitha barnat e kancerit rimbursohen 100%, shërbime të reja spitalore

Shëndet | 11 muaj më parë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, prezantoi sot në Kuvend projektbuxhetin 2026 për sektorin, duke theksuar se ai udhëhiqet nga parimi i “forcimit të sistemit me në qendër pacientin”.

Sipas saj, buxheti total për MSHMS arrin në 108.8 miliardë lekë (ose 3.9% e PBB-së), me një rritje prej 4.2% krahasuar me vitin 2025. Ky fond do të adresohet në dy sfida kryesore: luftën kundër kancerit dhe përmirësimin e shërbimeve të avancuara spitalore.

Rimbursimi 100% i barnave antitumorale

Sala e cilësoi luftën kundër kancerit si një nga sfidat më të mëdha kombëtare. Ajo njoftoi një nismë historike që do të lehtësojë ndjeshëm barrën financiare për pacientët.

Rimbursim i plotë

Për herë të parë, të gjitha barnat antitumorale do të rimbursohen 100% nga shteti.

Fondi shtesë

Është parashikuar një fond prej 15 milionë euro shtesë i dedikuar për barnat antitumorale.

Modernizimi

Nga viti 2026, do të nisë digjitalizimi i shërbimeve onkologjike përmes një dosjeje elektronike, me synim ndërtimin e Institutit Kombëtar të Kancerit deri në vitin 2030.

Shërbimet e reja spitalore

Një tjetër fokus i Buxhetit 2026 është zgjerimi i paketës së shërbimeve, duke futur disa procedura komplekse që deri më sot kanë munguar ose janë ofruar me vështirës.

Trombektomia

Do të ofrohet shërbimi i trombektomisë (trajtim për infarktin cerebral) në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Rikonstruksioni i gjirit

Vajzave dhe grave të prekura nga kanceri i gjirit do t’u ofrohet rikonstruksioni i gjirit përmes fondit të dedikuar.

Transplanti i kornesë

Do të bëhet i mundur transplanti i kornesë, duke zgjidhur një problem shumëvjeçar të pacientëve me probleme të shikimit.

Investimi te stafi dhe kujdesi parësor

Ministrja theksoi se investimi te njerëzit mbetet sfida kryesore. Do të rriten pagat për rreth 19,000 profesionistë të sektorit shëndetësor.

Për herë të parë, në janar 2026, do të ofrohet Vaksinimi HPV për djemtë (krahas atij për vajzat).

Parashikohen 7.6 milionë vizita në kujdesin parësor dhe rimbursimi i barnave për 400,000 pacientë me një fond prej 13.5 miliardë lekësh (7% rritje).

Prioriteti i mirëqenies sociale

Krahas shëndetësisë, Ministrja Sala u ndal te mbrojtja sociale, duke shpallur një konsolidim të sistemit.

Sipas saj, parashikohet një rritje prej 22.2% e Fondit Social (400 milionë lekë), me synim mbulimin me shërbime sociale të integruara në të 61 bashkitë.

„Programi i Kujdesit Social arrin në 27.7 miliardë lekë, duke përfshirë Ndihmën Ekonomike, Bonusin e Bebes dhe mbështetjen për rreth 94,000 persona me aftësi të kufizuara.“, tha ajo.

Buxheti 2026, sipas Salës, pasqyron plotësisht kërkesat e integrimit në BE (Kapitujt 19 dhe 23) dhe garanton se “asnjë fëmijë, grua, i moshuar, person me aftësi të kufizuara dhe familje vulnerabël të mos mbetet pas”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme