Miopia shoqëron fëmijët e klasave të para, gjysma e kontrolleve të detyrueshme të syve dalin me probleme
Në një distancë prej pesë metrash, testi i shikimit të Klevisit rezultoi 100% i plotë në të dy sytë.
Një fëmijë fatlum! Mjetet e teknologjisë ende nuk ia kanë dëmtuar shikimin, siç ka ndodhur me shumë bashkëmoshatarë të tij.
Në dhomat e okulistëve, vizitat këto ditë janë të ngjeshura. Fëmijët që regjistrohen në klasë të parë kanë kontrollin e detyruar të shikimit. Fatkeqësisht, edhe këtë vit, miopia mbetet problem kryesor. Në dhjetë fëmijë, pesë dalin me probleme.
“Kemi shumë raste me miopi dhe shkaku, siç e kemi thënë, është përdorimi i telefonit. Sado që ne insistojmë, është krijuar një varësi. Ndaj kemi edhe trendin që kemi, rritjen e numrit të rasteve me syze. Në dhjetë fëmijë, gati gjysma do dalin me probleme të miopisë. Këta fëmijë duhet të ulen në bankat e para,” thotë okulistja Zana Zhuka.
Një pjesë e fëmijëve marrin ndjekje të mëtejshme.
“…monitorimi, vendosja e syzeve, ushtrimet që bëhen për të mbyllur syrin që është dominant, që sheh më mirë, për të aktivizuar syrin dembel, për t’u rikontrolluar çdo katër muaj në mënyrë të rregullt në rast të fëmijëve që janë më syze. Fëmijët që dalin normal, pavarësisht që e shohim që është mirë, duhet patjetër një herë në vit të rikontrollohen,” apelon mjekja e Poliklinikës nr. 3.
Mbi 4–5 orë në ditë qëndrim mbi ekrane, është kjo mesatarja ditore që po shkatërron sytë e të vegjëlve. Sfida është gati e pamundur për prindërit, por mjekja rekomandon disa veprime.
“Ne rekomandojmë uljen e kohëzgjatjes së përdorimit në mënyrë graduale. Prindi insiston gjithmonë që të heqin telefonin, ndërsa unë kam metodën time të bindjes së sqarimit. Duhet në mënyrë graduale, pasi nuk mundesh ta heqësh në mënyrë të prerë. Është dhe një tjetër: të japim shembullin tonë personal dhe të fusim edhe aktivitetin fizik. Edhe kjo është një metodë që po i largon nga celulari,” rekomandon Dr. Zhuka.
Ndërkohë, sytë po ndikohen edhe nga dieta e varfër ushqimore. Shumë fëmijë nuk konsumojnë karota, vezë, perime me gjethe jeshile dhe mish, që janë disa nga ushqimet të cilat e forcojnë shëndetin e syve.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




