Miqësia jonë është më e thellë se diplomacia”, ministri izraelit: Zgjerojmë partneritetin mes dy vendeve

Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gideon Sa’ar, vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke theksuar se miqësia mes dy vendeve i ka rrënjët në histori dhe se qëndrimi i shqiptarëve gjatë Holokaustit mbetet një dëshmi e veçantë e solidaritetit njerëzor. Në konferencën e përbashkët për mediat me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, Sa’ar u ndal te historia e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e cilësuar atë si një kapitull që Izraeli nuk do ta harrojë. “Miqësia jonë është më e thellë se diplomacia. I ka rrënjët në histori. Gjatë Holokaustit, kur hebrenjtë përndiqeshin në mbarë Evropën, shqiptarët ju hapën shtëpitë dhe shpëtuan jetë. Kjo ishte Besa, kodi juaj i nderit. Një zotim për të ndihmuar ata në nevojë”, deklaroi ministri izraelit.
Ai theksoi se Shqipëria ishte i vetmi vend në kontinent që veproi në këtë mënyrë, duke nënvizuar se kjo histori mbetet e paharrueshme për popullin izraelit. “I vetmi vend në kontinent që e bëri këtë gjë. Kurrë nuk do ta harrojmë këtë gjë”, u shpreh Sa’ar.
Ministri i Jashtëm izraelit vlerësoi gjithashtu qëndrimin e Shqipërisë ndaj Izraelit pas sulmit të 7 tetorit, duke e cilësuar mbështetjen e vendit tonë si një shprehje të vazhdimësisë së së njëjtës qasje morale që shqiptarët treguan edhe gjatë periudhave më të vështira të historisë.
“Shohim sot të njëjtën qasje morale në mbështetjen e qartë të Shqipërisë për Izraelin pas masakrës së 7 tetorit”, tha ai.
Gjatë fjalës së tij, Sa’ar u ndal edhe te marrëveshjet e arritura mes dy vendeve, duke bërë të ditur se pas marrëveshjes dypalëshe për shëndetësinë, të nënshkruar një vit më parë, Shqipëria dhe Izraeli po e zgjerojnë bashkëpunimin përmes një marrëveshjeje më të gjerë ndërqeveritare.
“Nënshkruam vitin e kaluar marrëveshje dypalëshe për shëndetësinë, sot e zgjerojmë partneritetin me një marrëveshje më të gjerë mes qeverive, duke krijuar mundësi për bashkëpunim më të thellë mes dy popujve tanë”, deklaroi ministri izraelit.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike, duke nënvizuar se sulmet në hapësirën digjitale përbëjnë një sfidë për të gjitha shtetet moderne dhe se koordinimi mes dy vendeve mund të ndihmojë në mbrojtjen e qytetarëve dhe institucioneve. “Sulmet kibernetike cenojnë çdo vend modern. Së bashku mund të mbrojmë më mirë qytetarët dhe institucionet tona”, u shpreh Sa’ar.
Një tjetër aspekt i marrëdhënieve mes dy vendeve që u evidentua nga ministri izraelit ishte zhvillimi i turizmit. Sipas tij, numri i vizitorëve izraelitë në Shqipëri është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke kaluar nga rreth 7 mijë në vit në rreth 100 mijë.
“Numri i vizitorëve izraelitë në Shqipëri është rritur nga 7 mijë në vit në 100 mijë. Rritje me shpejtësi dhe e jashtëzakonshme. Izraelitët ndihen të sigurt dhe të mirëpritur në Shqipëri”, deklaroi Gideon Sa’ar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




