Miratohet rezoluta për RTSH, më shumë transparencë në administrimin e aseteve
Pas diskutimeve dhe dëgjesës me organizatat e shoqërisë civile, si dhe me dy rekomandime kryesore, Komisioni i Medias miratoi këtë të hënë projektrezolutën për Radio Televizionin Shqiptar.
Ky vendim vjen pak ditë pasi RTSH raportoi mbi veprimtarinë vjetore të vitit 2025, e cila përkon me hyrjen në një fazë të rëndësishme të transformimit të institucionit publik me lidershipin e EBU.
Iris Luarasi u shpreh se “Ramë dakord që të forcohet pavarësia institucionale dhe editoriale, si dhe të ndërmerren masa konkrete për garantimin e pluralizmit editorial në përputhje me standardet evropiane. Elementi tjetër që shtuam nga rekomandimet është rritja e transparencës përmes publikimeve dhe dokumentacionit shoqërues të organeve drejtuese, si dhe të aseteve që administron Radio Televizioni Publik.”
Gjatë mbledhjes së kësaj të hëne, në Komisionin e Medias, Autoriteti i Mediave Audiovizive raportoi mbi veprimtarinë vjetore për vitin 2025.
“Një fenomen i shquar është shpërndarja e paligjshme përmes platformave të komunikimit dhe rrjeteve sociale, ku përfshihen grupe në Telegram dhe në Facebook, ku linqe të paautorizuara qarkullojnë në mënyrë të pakontrolluar. Në këtë kuadër, AMA ka ndërhyrë me vendosmëri duke mbyllur më shumë se 10 servera që operonin brenda territorit të vendit. Në total, gjatë vitit raportues, AMA ka marrë 32 vendime me sanksion me gjobë për pirateri të përmbajtjes dhe ka realizuar 141 tërheqje. Studio e monitorimit është një projekt që e kemi shumë për zemër në AMA dhe prandaj parashikojmë një pjesë të ardhurave tona edhe nga donatorët apo nga partnerët e institucionit tonë.” U shpreh Armela Krasniqi, Kryetare e AMA
Diskutime pati edhe për çështje të tjera që lidhen me platformën TikTok, me të cilën AMA ka një marrëveshje bashkëpunimi mbi rastet që raportohen.
Gazetare: E. Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




