“Mirëmëngjes Shqipëri” – Bimët mjekësore që ndihmojnë tretjen, rekomandimet e herbalistit Irfan Gjeçi
I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH1, herbalisti Irfan Gjeçi ndau këshilla të vlefshme mbi trajtimin natyral të problemeve të stomakut dhe forcimin e organizmit. Ai theksoi se mënyra e jetesës moderne, ushqimet e thata dhe të konservuara ndikojnë negativisht në shëndetin e stomakut, duke shkaktuar fryrje dhe shqetësime të tjera.
Për gastritin kronik, ai sugjeroi përdorimin e çajit me spec të kuq djegës, i cili ndihmon në qarkullimin e gjakut dhe rigjenerimin e mukozave të dëmtuara.
“Duhet të dimë se me vrullin e madh që ka shoqëria, kequshqyerja, ushqimet e thata, shumë ushqime të konservuara, stomaku është organi i cili do të vuaj. Nëse do të marrim shqetësimin e fryrjes së stomakut, mund të jenë shkaqe ftohja, keq ushqyerja dhe në këto raste mund të konsumojmë limon apo pak sodë buke me ujë të vakët dhe kjo është një zgjidhje e shpejtë, por mund të përdorni edhe nenexhikun për çdo lloj problemi me stomakun, e cila duhet të përdoret disa herë gjatë ditës, gjithashtu edhe kamomili apo xhenxhefil, lule basami . Për fat të mirë bimët kanë një efekt të shpejtë dhe nuk mund të gabojmë në mbi dozë me bimët. Për njerëz të cilët kanë probleme me gastritin kronik në këtë rast rekomandohet speci i kuq djegës i zier në gotë uji për ta konsumuar në formë çaji. Speci i kuq djegës në momentin e konsumit ndihmon në qarkullimin e gjakut shpejton shërimin dhe shpëlan mukozat”, u shpreh herbalisti.
Po ashtu, kefirin e vlerësoi si një nga produktet më të mira për tretjen dhe për forcimin e imunitetit, ndërsa farat e ndryshme janë të dobishme për shëndetin e përgjithshëm. Gjeçi vuri në dukje edhe vlerat e larta të çajit të malit, të mbështetura nga studime gjermane dhe bullgare, si dhe efektet mbrojtëse të propolisit ndaj ftohjeve dhe problemeve me zorrët.
“Kefiri është një ndër produktet më të mira për stomakun dhe të gjithë organizmin, por edhe përdorimi i farave të ndryshme është shumë e këshillueshme. Studime gjermane dhe një institut bullgar thonë se çaji i malit është një çaj i mrekullueshëm për tu përdorur nga te gjithë moshat. Propolisi është i përbërë nga të gjithë polenët, propolisi është për djegiet e fytit, për ftohjet dhe për pjesët e zorrëve. Është e rekomandueshme që të konsumohen rreth 180 pika propolis gjatë të gjithë ditës“, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




