Mish, peshk dhe vezë/ Bombaj: Si ndryshon modeli ushqimor sipas piramidës së re

Shëndet | 9 muaj më parë

Administrata e re e Presidentit të SHBA, Donald Trump, dhe Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., kanë publikuar udhëzimet e reja ushqimore për vitet 2025–2030. Ky model, i quajtur “Eat Real Food” (Hani ushqim të vërtetë), shënon një ndryshim radikal në dekadat e fundit.

Për të folur për ndryshimet në piramidën ushqimore, në një intervistë me Andri Xhahun në emisionin “Në Radio”, dietologia klinike Blerina Bombaj shprehet se ky është një hap i duhur dhe një mesazh i rëndësishëm.

“Ky ndryshim ka ardhur nga një politikë e qeverisë së re amerikane e cila ka ngritur me të madhe dhe me të drejtë gjithë problematikat e mëdha sa i përket shëndetit. Amerika mendohet të ketë një nga popullatat më të pashëndetshme në botë të lidhur me ushqimin dhe cilësinë e tij”.

Udhëzimet e reja kanë sjellë një përmbysje të piramidës së vitit 1992.

“Në bazën e piramidës së mëparshme kishte drithëra, të cilat nuk ndaheshin nëse ishin të përpunuara ose jo. Në të u përfshi çdo lloj produkti i industrializuar sikurse bënë namin industritë e mëdha që prodhonin drithërat e mëngjesit, të cilat i drejtoheshin fëmijëve me produkte të një cilësie shumë të ulët dhe shumë të përpunuara. Tjetër gjë është gruri, tërshëra, elbi dhe tjetër gjë janë ato të gatshmet që kanë sheqer, përpunim termik, shtesa kimike, konservantë e ngjyrosës. Piramida e tanishme i përjashton produktet e gatshme të stërpërpunuara që kanë ndërhyrje industriale të konsiderueshme”.

Por a duhet qytetarët të konsumojnë bukën e bardhë?

“Buka përfshihet te drithërat integrale. Nuk rekomandohen produktet e përpunuara por buka integrale, makaronat integrale, kuinoa, bullguri janë në një sasi të moderuar, jo si baza e ushqimit që ishte më përpara. Supozohet që këto ushqime do të kombinohen me një sasi të konsiderueshme proteinash”, sqaron Bombaj.

Sipas dietologes, pika më e fortë e piramidës së re ushqimore është rëndësia e marrjes së proteinave të mjaftueshme.

“Rekomandimet e vjetra sugjeronin 0.8 gram proteina për çdo kilogram të trupit. Shumë studime shkencore kanë konstatuar që kjo është një sasi e pamjaftueshme si për shembull për moshën mbi 50 vjeç. Me ndryshimet e reja është bërë 1.2-1.6 g/kg. Ky është një mesazh që proteinat janë një përbërës shumë i rëndësishëm i ushqyeshmërisë së përditshme. Ndaj mishi i kuq, peshku, pula, djathi, veza janë vendosur tashmë në vendin kryesor të piramidës”, shprehet Bombaj duke e parë këtë ndryshim të nevojshëm pasi proteina është një përbërës i rëndësishëm i shëndetit.

“Por nga ana tjetër konsumi i produkteve shtazore çdo ditë në një sasi që të jetë baza e ushqimit pa u alternuar pa drithëra, legume, burime të tjera bimore, e shoh jo të qëndrushme edhe në sensin e ekosistemit. Njerëzit duhet të hanë në harmoni me aq sa prodhon natyra. I bie të ezaurosh tërësisht resurset e tokës sepse kafshët janë shumë më shpenzuese për tokën se sa bimët. Pra nuk respekton ciklin rigjenerativ të natyrës dhe nuk i jep tokës të pushojë dhe të riprodhojë, por e sforcon dhe i merr frymën. Ideja është që nuk mund të konsumojmë çdo ditë një produkt që është i kushtueshëm për xhepin e njeriut dhe për tokën”.

Udhëzimi i ri ushqimor inkurajon përdorimin e gjalpit dhe të vajit të ullirit, në vend të vajit të lulediellit apo misrit.

“Unë jam nga ato që vajrat vegjetalë nuk i fus ndonjëherë në shtëpi  për të gatuar. Në mënyrë absolute përdor vetëm vaj ulliri. Studimet nuk tregojnë që vajrat vegjetalë lidhen me problematika të mëdha në shëndet. Studimet nuk kanë konstatuar bindshëm që këto vajra janë të dëmshëm për shëndetin por nga ana tjetër dimë që këto vajra kanë profil yndyror që duhet të jenë në raport të caktuar me yndyrnat Omega 3 sepse vetë këto kanë Omega 6. Përndryshe bëhen pro-oksiduese në trup. Ka të bëjë shumë masa dhe cilësia. Pastaj të thuash përdor gjalpin, nuk jam aspak dakord. Akoma kolesteroli i lartë është një ndër tre faktorët kryesorë të arterosklerozës. Nga kërkimet shkencore është vërtetuar që yndyrnat e ngurta gjalpi, dhjami, bulmeti e rrisin kolesterolin”.

Blerina Bombaj vërejti edhe një mungesë të përgjithshme informacioni nga qytetarët përsa i përket ushqimeve të pashëndetshme. Ajo u ndal në një episod të ndodhur një ditë më parë.

“Dje isha në supermarket për të bërë pazar. Pashë koshin përpara meje te kasa, jam skandalizuar dhe shokuar. Patatina pafund, paketime ëmbëlsirash dhe lëngjesh të gatshme. Treçereku i koshit ishte me ‘pisllëqe’. Janë ushqime bombë bërthamore për metabolizmin e njeriut. Kishin dhe një fëmijë të vogël që mesa duket i kishte zgjedhur vetë. Vetëm një e treta e koshit mund të ishte ushqim i vërtetë. Duhet të ndërgjegjësohemi se si të ndryshojmë në raport me këtë që po përballemi”, përfundoi Bombaj.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme