Mjekimi i shëndetit mendor shkelet nga pacientët, mjeku: Janë dy forma, abuzimi me medikamentet dhe hezitimi për t’u mjekuar

Shëndet | 11 muaj më parë

Mjekimi i shëndetit mendor është kthyer në një sifë për mjekët të cilët konstatojnë se protokollet shpesh shkelen nga pacientët. Sipas tyre forma më e rëndë është ajo e abuzimit me medikamentet duke krijuar varësi deri në intoksikim.

“Duke përdorur medikamene të shëndetit mendor pa kriter, duke i marrë ato vetë, duke u konsultuar ne shumë raste edhe me farmacitë , duke u konsultuar me njëri – tjetrin , ata përdorin medikamente të cilat me të vërtetë krijojnë varësi. Edhe Benzodiazepinat janë medikamente që kur merren pa kriter ato kalojnë në varësi, por nëse i merr nën kontrollin e mjekëve asnjëherë nuk do jenë të varur. Vazhdon të ketë abuzime, marrje pa kriter të dozave. Shkojnë në doza të tilla që më pas detyrohemi të bëjmë trajtim në toksikologji në qendrën e trajtimit të varësisë. Pra siç krijojnë varësi substancat, krijojnë varësi edhe medikamentet kur merren me sasi të mëdha kohëzgjatjeje”, thotë Valentina Asanbella, Psikiatre në Qendrën Komunitare e Shëndetit Mendor Nr.3, Tiranë.

Një formë tjetër është ajo hezitimit të marrjes së mjekimit dhe kjo për shkak të stigmës dhe fshehjes së sëmundjes deri edhe nga familjarët.

“Vazhdon të ekzistojë stigma, vazhdon të ekzistojë fjalia standarte që ne kemi kur paraqiten për shërbim: ju lutem unë nuk do doja medikamente pasi ato më bëjnë të varur. Ju lutem përpiquni të me jepni diçka bimore apo shprehja tjetër: ju lutem më jepni diçka  të lehtë. Por problem i shëndetit mendor nuk trajtohet me ‘më lehtë ‘ apo ‘më vështirë’. Në varësi të shkallës së rëndësisë që ka problematika e shëndetit mendor, në varësi të diagnozës , është edhe protokolli I mjekimit. Hezitimi është pothuajse në të gjitha shtresat e intelektit si tek ata me shkallë intelekti më të ulët e deri tek ata më të arsimuarit. Do të theksoja që më shumë vështirësi hasim të mjekojmë personat të cilët kanë intelekt të lartë, janë me arsim të lartë”, thekson mjekja Asanbella.

Si hezitimi për t’u mjekuar ashtu edhe abuzimi me medikamente të shëndetit mendor sipas mjekeve e çojnë shëndetin mendor drejt dëmeve madhore prej të cilave është vështirë të gjesh më rrugë rikuperimi.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme