Mjeku i familjes përballë pacientit: Në fund të çdo dite marrin me vete dilemat dhe dhimbjen

Shëndet | 5 muaj më parë

Kjo e martë shënon Ditën e Mjekut të Familjes, njerëzve që dinë më shumë për ne sesa duam ta pranojmë. Ata nuk njohin vetëm kartelën tonë, por edhe historitë tona. Por cila është sfida më e madhe e një dite pune për ta?

“T’i përkushtohemi pacientit pavarësisht ngarkesës së ditës që ne kemi”, tha Xhentiliana Nazaj – mjeke familjeje, QSH.10

“Besimi dhe ngarkesa e madhe në kontakt me pacientin”, tha Violeta Kaçori – mjeke familjeje, QSH.8

Të fitosh besimin e pacientëve në një kohë kur informacioni në internet i ngatërron më shumë, duket mision i vështirë.

“Besimi te mjeku nuk krijohet menjëherë, por ai ndërtohet gradualisht. Kur pacienti e ndjen që je aty për ta ndihmuar realisht atë, ai krijon besimin te mjeku”, tha Nazaj.

“Më duhet një punë e dyfishtë në fakt për t’i shpjeguar që mjekësia është një shkencë, e cila duhet të prekësh vetë pacientin, duhet të prekësh vetë ndjenjat e pacientit, duhet të prekësh vetë simptomat e pacientit në mënyrë që të japësh një diagnozë të duhur dhe një mjekim të duhur”, tha Kaçori.

A u ndodh që të japin konsulta edhe në rrugë?

“Po, ndodh shpesh dhe mjekët e familjes jemi të lidhur edhe emocionalisht me pacientët. Është vërtet pak e lodhshme, por unë në fakt e marr si një shenjë besimi dhe respekti”, tha Nazaj.

“Kjo është e vërtetë dhe kjo është një diçka që mua më jep shumë kënaqësi dhe kur ata shikojnë drejt syrit dhe presin një shenjë nga ty, qoftë edhe jashtë orarit të punës për të kërkuar një këshillë, mua personalisht më mbush”, tha Kaçori.

Fjalia që dëgjojnë çdo ditë dhe u sjell buzëqeshjen është: “Faleminderit doktoreshë, më ndihmuat shumë. Faleminderit doktoreshë sepse ndihem shumë më mirë”, shprehen ato.

Ajo që marrin me vete kur mbyllin ditën e punës është ngarkesë jo e vogël.

“Ngarkesën e sëmundjes më të vështirë që kemi hasur dhe situatës emocionale më të rënduar të pacientit që mund të kemi pasur gjatë ditës”, tha Nazaj.

“Shenjat dhe ankesat e pacientëve dhe sigurisht edhe nëse kam dhënë maksimumin për t’u qenë sa më afër në mjekim dhe në diagnozë”, tha Kaçori.

Pas çdo dere ambulance ka histori njerëzore, vendime të vështira dhe përkushtim që shpesh nuk shihet dhe vlerësohet.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme