Molotov dhe shishe benzine drejt Kryeministrisë dhe Kuvendit, arrestohen 21 protestues. Nën hetim Këlliçi, Noka, Balliu, Boçi dhe Minarolli

21 protestues janë vënë në prangat e policisë së kryeqytetit dhe 1 tjetër është shpallur në kërkim pas akteve të dhunës në protestën e djeshme të opozitës, ku hodhën molotovë e fishekzjarrë para Kuvendit dhe Parlamentit.
Policia ka proceduar penalisht 6 persona të tjerë, 4 prej të cilëve janë anëtarë të Partisë Demokratike dhe sekretari organizativ i kësaj force politike. Konkretisht, në hetim janë vënë sekretari organizativ Ervin Minarolli dhe 4 deputetët Belind Këlliçi, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Luçiano Boçi.
Si pasojë e sulmeve me sende të forta, mjete piroteknike dhe molotovëve ndaj punonjësve të Policisë dhe godinave të institucioneve shtetërore, mbetën të plagosur 16 punonjës policie, të cilët morën ndihmë mjekësore në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Blutë e Tiranës kanë sekuestruar 22 molotovë të pashpërthyer dhe 3 shishe me lëndë të dyshuar djegëse benzinë, që janë gjetur nga shërbimet e Policisë, afër Kuvendit.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, mbi tubimin e zhvilluar më datë 10.02.2026, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1:
-arrestuan në flagrancë shtetasit: K. Ç., 36 vjeç; K. B., 24 vjeç; L. T., 21 vjeç; K. S., 26 vjeç; Xh. V., 18 vjeç; R. N., 28 vjeç; S. D., 48 vjeçe, F. N., 32 vjeç; A. K., 24 vjeç; F. A., 22 vjeç; G. D., 21 vjeç; D. K., 27 vjeç; J. K., 18 vjeç; A. K., 20 vjeç; O. H., 18 vjeç; S. P., 18 vjeç; A. U., 24 vjeç, dhe katër shtetas 17 vjeç, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë shtetasin E. K., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-E. M., sekretar organizativ i Partisë Demokratike, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Shtytja e të miturit në krim”;
-B. K., K. B., L. B. dhe F. N., anëtarë të Partisë Demokratike, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Shtytja e të miturit në krim”;
-u shpall në kërkim shtetasi L. P., 41 vjeç. Po punohet për kapjen e tij.
Pasditen e djeshme, protestuesit janë mbledhur fillimisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë. Më pas, ata janë zhvendosur drejt Kuvendit, ku gjatë gjithë kohës së zhvillimit të tubimit, kanë hedhur lëndë djegëse, mjete piroteknike dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinave të institucioneve publike.
Si pasojë e sulmeve me sende të forta, mjete piroteknike dhe molotov ndaj punonjësve të Policisë dhe godinave të institucioneve shtetërore, janë dëmtuar 16 punonjës policie, të cilët morën ndihmë mjekësore në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 22 molotovë të pashpërthyer dhe 3 shishe me lëndë të dyshuar djegëse benzinë, që janë gjetur nga shërbimet e Policisë, afër Kuvendit”, thuhet në njoftim.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në akte të dhunshme gjatë tubimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



