Moti i keq- Rrëshqitje dherash dhe evakuime në disa qarqe. Shkodra, Durrësi, Berati e Fieri më të prekura. Dibra mbulohet nga dëbora, një person i humbur

Agjencia e Mbrojtjes Civile ka njoftuar mbi situatën e krijuar nga reshjet intensive të shiut dhe dëborës, të cilat kanë përfshirë një pjesë të madhe të territorit të vendit, duke shkaktuar problematika të shumta.
Forcat e Armatosura janë angazhuar në disa qarqe me efektivë dhe mjete të specializuara për ndërhyrje emergjente, lirimin e rrugëve të bllokuara, evakuimin e banorëve dhe mbështetjen e autoriteteve vendore.
Situata paraqitet më problematike në Shkodër, Durrës, Dibër, Berat, Fier, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera problematikat kanë qenë të kufizuara dhe të menaxhueshme.
Në Qarkun Shkodër, rritja e nivelit të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë rritje të prezencës së ujit në zonën e Obotit dhe Dajçit si dhe përmbytje të tokave bujqësore në zonën Urrelat–Shirq. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore është i pakalueshëm për mjetet e ulëta. Nuk raportohen përmbytje banesash, ndërsa argjinaturat dhe kanalet kulluese, shkarkuesit dhe diga e rezervuarit të Shkodrës vijojnë të jenë funksionale. Strukturat vendore po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme.
Në Qarkun Durrës, situata po shkon drejt përmirësimit në zonat e përmbytura të Sukthit dhe Katundit të Ri, megjithatë vijon prezenca e ujit në rreth 1 800 hektarë toka bujqësore dhe në disa banesa në zona të veçanta të Kënetës dhe Shkozetit. Janë kryer ndërhyrje për lirimin e akseve rrugore dhe për funksionalizimin e shkarkuesve, me qëllim shmangien e përkeqësimit të situatës.
Në Qarkun Dibër, reshjet e dëborës kanë shkaktuar bllokime rrugësh në disa njësi administrative si dhe ndërprerje të energjisë elektrike në zona të caktuara. Qarkullimi në akset kryesore po mbahet i kontrolluar, ndërsa në rrugët rurale po punohet për hapjen dhe garantimin e aksesit. Po ashtu vijon operacioni i kërkimit për një shtetas të humbur, me angazhimin e forcave të specializuara.
Në Qarkun Berat, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore dhe prezencë uji në disa banesa dhe objekte publike si dhe evakuimin e disa familjeve për arsye sigurie. Situata po menaxhohet nga strukturat vendore, me mbështetjen e forcave të emergjencës.
Në Qarkun Fier, lumenjtë Seman dhe Shkumbin kanë dalë nga shtrati në disa zona, duke përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore dhe duke prekur disa banesa. Strukturat e bashkive ndodhen në gatishmëri të plotë dhe po vlerësojnë në mënyrë të vazhdueshme nevojën për masa shtesë.
Në Qarqet Korçë dhe Gjirokastër, problematikat lidhen kryesisht me rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore, bllokime rrugësh dhe evakuime të kufizuara të disa familjeve në zona me rrezik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




