Mozaiku i Tiranës nominohet për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026” nga ArchDaily

Mozaiku i Tiranës është nominuar për çmimin prestigjioz “Ndërtesa e Vitit 2026” nga platforma ndërkombëtare e arkitekturës ArchDaily, duke e vendosur kryeqytetin shqiptar në qendër të vëmendjes së skenës globale të arkitekturës bashkëkohore.
Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili theksoi se projekti “Mozaiku i Tiranës – Ndërhyrje Kulturore”, i realizuar nga studioja arkitekturore SONarchitects, përfaqëson një shembull të suksesshëm të ndërthurjes mes ruajtjes së trashëgimisë arkeologjike dhe arkitekturës moderne.
“Mozaiku i Tiranës nominohet për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026” nga ArchDaily. Projekti “Mozaiku i Tiranës – Ndërhyrje Kulturore”, i realizuar nga SONarchitects, përfaqëson një ndërthurje mes ruajtjes së trashëgimisë arkeologjike dhe arkitekturës bashkëkohore. Ky nominim e pozicionon Tiranën në skenën ndërkombëtare të arkitekturës si një shembull i dialogut mes historisë dhe së tashmes”, shkruan Gonxhja.
Mozaiku i Tiranës është monument kulture i kategorisë së parë, i shpallur si i tillë në vitin 1973. Ndërhyrja arkitekturore e fundit e ka rigjallëruar këtë sit përmes ndërtimit të një strukture bashkëkohore, me dizajn të frymëzuar nga simbolet dhe gjuha vizuale e vetë mozaikut, duke krijuar një dialog harmonik mes historisë dhe së tashmes.
ArchDaily, e njohur si “zëri i arkitekturës”, është platforma më e vizituar në botë për arkitektët, dizajnerët dhe profesionistët e fushës. Prej më shumë se 17 vitesh, ajo shërben si burim kryesor informacioni, frymëzimi dhe promovimi për projekte arkitekturore nga e gjithë bota.
Ky nominim konsiderohet një vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar dhe një tjetër hap për pozicionimin e Tiranës si një qytet që promovon zhvillimin urban në dialog të vazhdueshëm me trashëgiminë kulturore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.












