Nations League, Liga C/ Shqipëria merr vendin e parë në Grupin 1, fiton në San Marino 3-0

Në Serravalle në “San Marino Stadium” Shqipëria ka mundur me shifrat 3-0 ekipin vendas falë një loje të dominuar që në minutat e para.
Ashtu siç pritej Maran kishte vendosur në fushë një ekip sulmues ku në repartin e avancuar ishin prezent emra si Muçi, Mehmeti, Manaj dhe Uzuni. Asllani dhe Shehu u ndihmuan nga mbrojtësit e krahut në mesfushë për të mbajtur lart kuqezinjtëë, të cilët arritën që të siguronin fitoren e dytë në po kaq takime në këtë edicon të Nations League.
Goli që theu ekuilibrat erdhi në minutën e 21’ falë Anis Mehmetit, i cili gjesti golin e parë me fanellën kuqezi. Pas këtij episodi kaluan vetëm gjashtë minuta lojë që Manaj të gjente edhe rrjetën e sigurisë për të besuarit e Maran.
Në fraksionin e dytë San Marino nisi diçka më mirë lojën duke tentuar që të gjejë golin e shpresës, por Sherri u gjent i përgatitur kur ekipi kishte nevojë. Në të 58’ mbrojtësi ekstrem arriti që të frenonte një goditje të befasishme të Capicchioni-t.
Me kalimin e minutave kuqezinjtë rimorën topin në kontroll duke gjetur menjëherë edhe golin e tretë. Në të 65’ Manaj gjeti golin e tretë të takimit pas një gabimi të dyfishtë që bëri portieri dhe mbrojtësit vendas kur tentuan që të largonin topin nga zona pas një goditje nga këndi që erdhi pikërisht pas insistimit të sulmuesit lushnjar.
Në minutat e mbetura Maran përfitoi për t’i dhuruar minutat e para me fanellën kuqezi dy lojtarëve premtues si Samuele Sina dhe Klevi Qefalija.
Me këto tri pikë Shqipëria ngjitet në vendin e parë të Grupit 1 të Ligës C të Nations League. Kuqezinjtë kanë grumbullluar gjashtë pikë ndërsa pas tyre renditen Finlanda me 4, Bjellorusia me 1 dhe San Marino me zero pikë. A.V.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





