Ndërhyrje të rralla në spitalin e Shkodrës, mjekët realizojnë operacion në zemër duke përdorur imazherinë e avancuar
Një tjetër histori suksesi është shënuar në repartin e Hemodinamikës të Spitalit Rajonal të Shkodrës. Mjekët kardiologë me përvojë ndërkombëtare, Aurel Toma dhe Florim Cocoli, realizuan me sukses dy ndërhyrje në zemër me procedurë moderne, të cilat u ndoqën nga afër nga kamera e RTSH-së.
Mjeku kardiolog Aurel Toma kreu një ndërhyrje të avancuar, ku u përdor një teknologji imazherie moderne që aplikohet për herë të parë në Shqipëri. Përmes kësaj teknike, bëhet e mundur vizualizimi i brendshëm i arterieve të pacientit nëpërmjet një kamere termike, duke vlerësuar me saktësi diametrin dhe gjatësinë e arterieve.
“Përdorim një imazheri që është për herë të parë në Shqipëri, duke bërë të mundur të shohim imazhet brenda arterieve të pacientit nëpërmjet një kamere, për të vlerësuar sa më mirë diametrin dhe gjatësinë e tyre”, u shpreh Aurel Toma, mjek kirurg i kardiologjisë hemodinamike në Vjenë.
Ai shpjegoi më tej se si arrihet hapja e arterieve me mbyllje kronike të zemrës pa ndërhyrje të hapur kirurgjikale, pa hapje të kraharorit apo procedurën e njohur si “bypass”.
“Është një modalitet shumë i pranueshëm dhe një mundësi efektive trajtimi. Në këtë rast, ne vendosëm një stent, me një procedurë që zgjati më pak se një orë. Jemi të sigurt që rezultatet do të jenë afatgjata për pacientin”, u shpreh më tej Toma.
Përmes kësaj teknike mini–invazive, që realizohet vetëm në pak spitale në Europë, doktori bën të mundur rikthimin e funksionit normal të arterieve të bllokuara të zemrës, pa pasur nevojë për ndërhyrje të rënda kirurgjikale.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




