Ndezi 6 vatra zjarri në Mirditë, arrestohet piromani 62-vjeçar. Kishte precedent të mëparshëm po për zjarrvënie

Aktualitet | 2 muaj më parë

Një 62-vjeçar është arrestuar, pasi dyshohet si autor i ndezjes së disa vatrave të zjarrit në Mirditë. Gjatë ditëve të fundit, ai dyshohet se ka shkaktuar gjithsej 6 vatra, duke përfshirë në flakë rreth 15 hektarë sipërfaqe.

Në pranga përfundoi Anton Deda, 62 vjeç, banues në fshatin Rraja e Valës, në Njësinë Administrative Rrëshen.

Sipas policisë, arrestimi u bë pas një pune gjurmuese 48-orëshe, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe ndjekjen në terren me ndihmën e pajisjeve dron.

Në momentin e kapjes, 62-vjeçari sapo kishte ndezur një vatër zjarri në fshatin Rraja e Valës. Nga hetimet paraprake është dokumentuar se gjatë ditëve të mëparshme ai dyshohet se kishte ndezur edhe 5 vatra të tjera zjarri.

Si pasojë e këtyre zjarreve është përfshirë nga flakët një sipërfaqe prej rreth 15 hektarësh. Shërbimet zjarrfikëse dhe ato të Policisë vijojnë ndërhyrjen për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave.

Anton Deda akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Nga verifikimet e kryera, Policia ka konstatuar se 62-vjeçari ka precedent të mëparshëm për zjarrvënie të qëllimshme.

Prej ditësh Mirdita po përballet me disa nga vatrat më problematike të zjarrit, ndërsa janë djegur edhe disa banesa dhe evakuuar disa familje në zona të ndryshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme