Ndikimi i temperaturave tek sëmundjet pulmonare, mjekët: Shtim i problemeve respiratore

Shëndet | 10 muaj më parë

Ditët e fundit, qyteti i Korçës është përfshirë nga rënie e ndjeshme e temperaturave, e shoqëruar me mjegull të dendur, kryesisht në orët e para të mëngjesit. Këto kushte atmosferike po ndikojnë negativisht te personat që vuajnë nga sëmundje të mushkërive, duke shtuar vështirësitë në frymëmarrje dhe rrezikun për infeksione.

“Kjo është një klimë e disfavorshme për të sëmurët kronikë, për të sëmurët me astmë, që është specifike për specialitetin tonë sepse ajo e sikletshme është dhe për diagnozat e tjera por për pjesë e mushkërisë është një nga disfavoret që shtojnë klinikën me kriza marrje fryme dhe infeksione të përsëritura që bën”, deklaroi mjekja pneumologe Diana Aliçkolli.

Sipas mjekes, personat me probleme respiratore duhet të shmangin daljet në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes, për shkak të mjegullës dhe ndotjes së ajrit, si dhe të evitojnë ambientet me grumbullime njerëzish.

“Këshilla ime kryesore është që pacientët, kronikët sidomos, në orët e mëngjesit  dhe të darkës duhet të mos dalin. Edhe në darkë kemi atë tymin e famshëm që kemi në Korçë që ka filluar me ftohjen e kohës. Veç kësaj që thamë që të mos dalin, duhet të kenë kujdes nga vendet ku ka grumbullime njerëzish”, shtoi mjekja.

Ndërkohë, mjekët bëjnë me dije se numri i të shtruarve në Sanatoriumin e Korçës mbetet i qëndrueshëm, por po vihet re një rritje e rasteve me viroza sezonale, që kërkojnë kujdes të shtuar.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme