Ndryshimet në Kodin e Etikës së Mësuesit dhe Kodin Penal, Rama: Deri në 2 vite burg për dhunën në protesta, dënime edhe për nxitjen online dhe videot me AI

Politikë | 25 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditura dy instrumentet e fundit të paketës së re ligjore kundër dhunës që lidhen me ndryshimet në Kodin e Etikës së Mësuesit dhe në Kodin Penal.

Masat synojnë të garantojnë sigurinë e fëmijëve, të forcojnë ndëshkimet për aktet e dhunës gjatë protestave dhe të përfshijnë edhe shkeljet e kryera në rrjetet sociale.

Sa i përket Kodit të Etikës së Mësuesit, Rama deklaroi se mësuesit që nxisin pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeç në tubime do të pezullohen ose të largohen nga puna.

“Së 5-ti, Kodi i Etikës për mësuesit. Shkolla duhet të jetë e sigurt për fëmijët dhe parashikohet që asnjë mësues nuk mund të përdorë autoritetin e tij për t’i çuar fëmijët nën 18 vjeç në tubime. Mësuesit do të pezullohen ose do të largohen nga puna nëse përdorin autoritetin e tyre për të nxitur, organizuar ose koordinuar pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeç në tubime. Masa nuk prek të drejtën e mësuesve për t’u shprehur apo për të protestuar vetë”, tha Rama.

Lidhur me ndryshimet në Kodin Penal, sipas Ramës, mbështeten në praktikat e Francës dhe Italisë dhe parashikojnë ndëshkime për dhunën, nxitjen e saj, kanosjen dhe përndjekjen, si në jetën reale, ashtu edhe në hapësirën digjitale.

Sipas propozimeve të prezantuara, personat që qëndrojnë në një situatë dhune edhe pas paralajmërimit të policisë, duke qenë në dijeni se po ushtrohet dhunë ose po dëmtohet prona, mund të dënohen deri në dy vjet burg. Për goditjen e punonjësve të policisë apo qytetarëve, dënimi do të rritet me një të tretën kur autori është i maskuar.

Paketa parashikon gjithashtu ndëshkime për nxitjen e dhunës në rrjetet sociale, me masa më të rënda kur thirrjet u drejtohen të miturve ose kur pas tyre pasojnë akte dhune.

“Së 6-ti, ndryshimet në Kodin Penal ndjekin praktikat e Francës dhe Italisë, ku ndëshkohet dhuna, nxitja e saj dhe kanosja e përndjekja, qoftë fizikisht, qoftë në rrjetet sociale. Dhuna gjatë tubimeve dhe qëndrimi mes dhunës pa paralajmërimeve do të ndëshkohen penalisht. Vetëm kush qëndron ende pas paralajmërimit të policisë, duke e ditur që po ushtrohet dhunë apo po dëmtohet prona, ndëshkohet me deri në 2 vite burg. Kush kapet me armë apo mjete të rrezikshme, dënohet me burg.

Mbajtja e maskës ndëshkohet penalisht vetëm kur ka dhunë, me gjobë ose deri në 6 muaj burg. Shkatërrimi i pronës gjatë tubimeve dënohet më rëndë se aktualisht, dyfish nëse prek shkolla dhe institucione publike. Dhuna me fytyrë të fshehur ka një dënim për goditjen e policëve dhe qytetarëve, që rritet me 1/3 kur autori është i maskuar.

Nxitja për dhunë në rrjetet sociale dënohet dhe dënimi bëhet edhe më i rëndë kur thirrja u drejtohet fëmijëve ose pas saj ndodh dhuna. Kanosja online dhe ekspozimi i të dhënave dënohen gjithashtu. Videot me inteligjencë artificiale (AI), kur mashtrojnë publikun dhe i shkaktojnë dëm një personi, dënohen”, tha Rama.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme