Ndryshon testi që do përdoret për depistim të HPV – ISHP: Do të identifikojmë nëngrupet e viruseve me risk të lartë. Nis njoftimi me sms për gratë

Shëndet | 9 muaj më parë

Zgjerimi i fashës së depsitimit për kancer të qafës së mitrës për gratë e moshës 35-55 vjeç nuk është i vetmi ndryshim që do të ndodhë këtë vit në këtë program. Brenda këtij viti testi që po përdoret në depsitim do të ndryshojë. Kjo pasi testet aktuale vërtetë japin informacion për disa viruse me risk të lartë por nuk specifikojnë konkretisht nëngrupin  duke i vendosur gratë përballë nevojës për ekzaminime të mëtejshme  shpesh me kosto të larta.

 “Klinicistët mund të kenë pasur probleme me këto përgjigje të thjeshtësuara, ‘pozitiv-negativ’ dhe për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti I Shëndetit Publik vendosën që këtë vit të marrin vendimin për të bërë disa ndryshime në llojin e testit. Këtë vit, besoj brenda vjeshtës, do të jemi në gjendje të ofrojmë një test më të përshtatshëm si për klinicistët që do të vendosin diagnoza ose që do të merren me ekzaminime të mëtejshme për trajtimin e lezioneve parakanceroze , ashtu edhe për gratë të cilat do të mund të shmangin një barrë  shtesë ekzaminimi për llojin e nëngrupit. Bëhet fjalë për genotipizimin e mëtejshëm në momentin e depistimit për të identifikuar disa grupe në risk shumë të lartë siç është grupi 18 dhe 16 , të cilat janë të nevojshëm në algoritmet që përdorin klinicistët për kolposkopinë apo edhe për trajtimin e lezioneve prekanceroze”, u shpreh Alban Ylli, Ekspert, Drejtues I programit kombëtar të depistimit të HPV, ISHP.

Ndryshe nga sëmundjet e tjera tumorale, ky lloj kanceri duket se ka mbetur në stanjacion. Thirrja për depsitime që prej 2019 –ës që ka kapur 40% të popullatës së targetuar ka shtuar ndërgjegjësim për kontrolle .

“Incidenca e këtij kanceri është 9% për 1000 banorë. Ne kemi pak më shumë 100 raste të reja në vit. Kemi pasur edhe 130 raste të reja. Është kanceri I moshave të reja. E ka pikun e vet pa kapur të 50-tat, pra dëmi që shkakton është më i madh, ndryshe nga kanceri I gjirit që pikun e vet e ka pas kësaj moshe por që gjithsesi ky mbetet më I përhapuri në vend dhe më kompleks”, tha ai.

Duke qenë se komunikimi mes mjekut të  familjes dhe grave në moshë për depsitim nuk ka qenë shumë i rregullt, këtë vit do të futen në lojë njoftimet përmes mesazheve në telefon

“Kjo mënyrë e re komunikimi për të kryer testin do të përmirësojë grafikun e përdorimit të shërbimeve duke mënjanuar vonesat dhe keqkuptimet”, theksoi eksperti.                                      

Shqipëria, krahasuar  vendet perëndimore, ka risk më të madh për këtë lloj kanceri . Vaksinimi I vajzave dhe djemve që nga mosha 13 vjeç dhe fushatat e depistimit pritet ta çojnë Shqipërinë pas disa dekadave drejt eliminimit të plotë kësaj sëmundje, sikundër po ndodh me Australinë dhe Danimarkën që e kanë nisur më herët këtë strategji që tashmë është globale në shëndetin publik.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme