Në gjurmët e Gjergj Fishtës, fshati hap dyert për vizitorët/Banorët krijojnë itinerarin e poezisë fishtjane me gjatësi 8 km

Sociale | 37 minuta më parë

Në Lezhë kanë nisur përgatitjet për përkujtimin e 155-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës. Në fshatin e tij të lindjes, banorët janë bërë bashkë dhe po punojnë vullnetarisht për krijimin e infrastrukturës së Itinerarit Fishtjan, me një gjatësi prej 8 kilometrash.

Poezitë dhe thëniet më të spikatura nga veprat e At Gjergj Fishtës janë vendosur në tabela përgjatë itinerarit, i cili nis nga shtëpia ku ka jetuar poeti dhe vijon nëpër fshat. Gjatë këtyre ditëve, banorët do të hapin dyert e shtëpive për të mirëpritur vizitorët.

“Me rastin e Ditëve të Gjatë në Fishtë, jemi mbledhur të gjithë fshati. Po organizojmë infrastrukturën për të pritur njerëzit, pasi kemi tri ditë aktivitetesh të bukura në Fishtë”, u shpreh një banor.

“Të gjithë banorët e fshatit Fishtë kemi marrë përsipër të bëjmë shtegun. Kjo është edhe një pjesë materiale, ku të gjithë po kontribuojmë me nga një shumë simbolike për ndërtimin e tij”, tha njw banor tjetër.

Drejtori i Trashëgimisë Kulturore në Lezhë, Paulin Zefi, thotë se përtej përkujtimit të figurës dhe promovimit të veprës së At Gjergj Fishtës, ky aktivitet synon edhe promovimin e zonës, e cila po njeh gjithnjë e më shumë zhvillim turistik.

“Përveç promovimit të veprës së Fishtës dhe emrit të tij të jashtëzakonshëm, ky është një moment shumë i përshtatshëm për të promovuar kulinarinë, pra stilin dhe mënyrën tradicionale të gatimit të Fishtës, por edhe të trevës së Zadrimës. Në secilën prej 12 pikave të ndalesës, një numër ky simbolik, do të ketë gatime të ndryshme nga ato të pikave të tjera”, tha Paulin Zefi, Drejtor i Trashëgimisë Kulturore, Lezhë.

Itinerari Fishtjan do të nisë më 23 tetor dhe do të vijojë për tre dite me radhe. Krahas leximit të poezive, vizitorët do të kenë mundësi të njihen nga afër me traditat e zonës dhe mikpritjen e banorëve, të cilët do të hapin dyert e shtëpive të tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme