Arrestohet në Dubai anëtari i grupit Rraja, Bujar Sefa pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë

Aktualitet | 9 muaj më parë

Merr fund arratia e një prej anëtarëve të grupit Rraja. Bujar Sefa, i njohur si “Xaka”, 39 vjeç, është arrestuar në Dubai. Sefa ishte në kërkim nga SPAK, pasi dyshohet se ka trafikuar të paktën 2.4 tonë marijuanë dhe kokainë drejt Bashkimit Europian, si pjesë e grupit të Rrajave që u godit në dhjetor të vitit 2020.

SPAK e akuzon Sefën si një prej drejtuesve të grupit kriminal. Më 23 dhjetor 2025, Gjykata e Posaçme caktoi ndaj tij masën arrest me burg për një sërë veprash, përfshirë kultivimin e bimëve narkotike, prodhimin dhe shitjen e drogës, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe mbajtje pa leje të armëve. Tashmë Interpol Tirana pritet të nisë procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Operacioni që çoi në arrestimin e Sefës nisi nga bisedat e zbuluara në SkyECC, që më pas çuan SPAK në goditjen e grupit, ku u arrestuan edhe tre anëtarë të fisit Rraja: Gazmir, Përparim dhe Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit të PS-së, Rrahman Rraja.

Gjithashtu, vëllai i tij, Islam Sefa, u arrestua në korrik të vitit 2024, pasi dyshohet se ka trafikuar 912 kilogramë marijuanë me vlerë 3.3 milionë euro drejt Gjermanisë. Bujar Sefa ishte dënuar më parë në mungesë me 10 vite burg për kultivim të kanabisit në zona të Krujës dhe të dy vëllezërit janë dënuar Në 2021 në Itali për trafikun e drogës nga Holanda drejt Venedikut.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme