Në luftë me kancerin e gjirit, mesazhet e grave që po përballen me këtë sëmundje: Kontrollohuni!
Silvana Krasniqi prej 6 vitesh po përballet me kancerin e gjirit, një prej sëmundjeve më sfiduese për gratë.
Në kuadër të muajit roze, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Silvana ndan me komunitetin historinë e saj dhe mesazhet e rëndësishme për parandalimin dhe përballimin e kësaj sëmundjeje.
“Sëmundjen time e kam përballuar me forcë, me një forcë të madhe. Me shpirt nuk e kam pranuar, kam thënë do ta luftoj, i thonë 6 vjet”, tha ajo.
Silvana tregon se përballja me sëmundjen është një luftë e vazhdueshme që kërkon forcë dhe mbështetje, si nga familja ashtu edhe nga personeli mjekësor. Ajo thekson se trajtimet janë jo vetëm të vështira fizikisht, por edhe të kushtueshme, duke rënduar situatën ekonomike të familjes së saj.
“Kostoja është shumë e lartë, janë shpenzime kolosale. Dhe për ilaçet, çdo gjë e kam blerë me lekët e mia”, theksoi ajo.
Në këtë muaj ndërgjegjësimi, Silvana bën apel të gjithë grave dhe vajzave që të mos e neglizhojnë shëndetin e tyre dhe të bëjnë kontrollet e rregullta për kancerin e gjirit. Një zbulim i hershëm i sëmundjes mund të shpëtojë jetë.
“Një analizë, një mamografi, një konsultë me mjekun, shpëton jetën tënde, se mund të jesh nënë me fëmijë dhe mos t’i lësh ata”, bëri thirrje Silvana.
Ky apel vjen në kohën kur rëndësia e parandalimit dhe trajtimit të kancerit të gjirit është më e nevojshme se kurrë, duke nxitur komunitetin për të qenë më i kujdesshëm dhe të mbështesë ata që përballen me këtë sfidë.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




