Në Shkup u mbajt “Marshi i Engjëjve”, mijëra qytetarë kërkojnë drejtësi për viktimat e zjarrit në Koçan me 63 viktima

Mijëra qytetarë të Shkupit dolën sot në qendër të qytetit, duke kërkuar drejtësi për tragjedinë e 16 marsit në Koçan, ku një zjarr në një klub nate mori jetën e 63 personave, shumica të rinj, ndërsa rreth 200 të tjerë u plagosën.
Zjarri shpërtheu në orët e para të mëngjesit, gjatë një koncerti muzikor, kur fishekzjarrët e përdorur si efekte skenike ndezën flakët brenda lokalit.
Ato u përhapën me shpejtësi në një hapësirë që nuk përmbushte standardet bazë të sigurisë kundër zjarrit.
Hetimet zbuluan se klubi i natës funksiononte me një licencë të falsifikuar, fakt që shtoi zemërimin e opinionit publik.
Marshimi i sotëm nisi nga sheshi qendror i Shkupit, kaloi përpara Parlamentit dhe përfundoi në Gjykatë.
Në krye të protestës ishin familjarët e viktimave, të cilët mbanin një banderolë me fytyrat e 63 të ndjerëve.
Në të ishte shkruar, “63 hije do t’ju ndjekin – çdo shikim kërkon drejtësi.”
“Fëmijët tanë vdiqën më 16 mars. Gjashtëdhjetë e tre jetë nuk do t’i shohim më kurrë. Nuk kërkojmë mëshirë, por të vërtetën dhe drejtësinë. Dhimbja është e jona, por beteja është për të gjithë. Kemi nevojë për mbështetjen tuaj,” – u shprehën familjet e viktimave në thirrjen e tyre drejtuar qytetarëve.
Protesta u zhvillua pak ditë para nisjes së gjyqit për zjarrin tragjik, i cili është planifikuar më 19 nëntor në sallën e gjyqit të burgut të Idrizovës në Shkup.
Në bankën e të akuzuarve do të ulen 37 persona, mes tyre pronari dhe menaxherët e klubit, tre ish-kryetarë bashkie të Koçanit, dy ish-ministra të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, pesë zyrtarë të lartë shtetërorë dhe individë të tjerë që, sipas aktakuzës, kanë kontribuar në tragjedi përmes veprimeve ose mosveprimeve të tyre.
Ngjarja ka shkaktuar një tronditje të madhe shoqërore në Maqedoninë e Veriut. Familjarët e viktimave, miqtë dhe banorët e Koçanit kanë organizuar shpesh protesta, duke kërkuar drejtësi dhe përgjigje të qarta për shkaqet e aksidentit.
Opinioni publik shprehet i zhgënjyer, duke e lidhur tragjedinë e Koçanit – ashtu si raste të tjera të rënda vitet e fundit – me korrupsionin e përhapur dhe mosfunksionimin sistematik të institucioneve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.











