Nën hetim për korrupsion, arrestohet ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut Artan Grubi

Maqedonia e Veriut | 8 muaj më parë

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut njofton se mëngjesin e sotëm në orën 06:10 minuta në vendkalimin kufitar Bllacë është paraqitur ish-zëvendëskryeministri i parë i RMV Artan Grubi, i cili menjëherë është ndaluar dhe dërguar në paraburgim për veprime të mëtejshme.

“Më 23.02.2026 në ora 06:10 minuta në hyrje të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vendkalimin kufitar Bllacë u paraqit Artan Grubi, i lindur më 07.06.1977 me masën ‘Arresto’. Personi në fjalë është privuar nga liria për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Kujtojmë se Grubi është i përfshirë në një hetim që lidhet me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik, në kuadër të rastit që ka të bëjë me funksionimin dhe kontratat e Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut.

Sipas organeve të ndjekjes, hetimet kanë të bëjnë me vendime dhe kontrata që dyshohet se kanë shkaktuar dëme financiare të konsiderueshme në buxhetin e institucionit, që përllogariten në 500 milionë denarë apo mbi 8 milionë euro. Prokuroria pretendon se përmes procedurave të kontestuara janë favorizuar subjekte të caktuara ekonomike.

Gjykata paraprakisht kishte caktuar masë paraburgimi ndaj Grubit, ndërsa autoritetet e kishin shpallur në kërkim për shkak të mosparaqitjes para organeve të drejtësisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme