Nga dronët te makinat inteligjente, Ministri i Brendshëm: Projekti #SmartCity sjell kapërcim epokal në sigurinë publike

Aktualitet | 2 muaj më parë

Rritja e qëndrueshme e numrit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë vit pas viti ka sjellë një rritje të ndjeshme të qarkullimit të mjeteve në akset kryesore të vendit, duke rritur njëkohësisht edhe nevojën për masa më efektive për parandalimin e aksidenteve rrugore.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, theksoi se pas bashkëpunimit me qytetarët, teknologjia mbetet aleati më i fuqishëm i Policisë së Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë rrugore.

Sipas Lamallarit, autoritetet po mbështeten gjithnjë e më shumë te pajisjet e avancuara elektronike për të mbajtur nën vëzhgim të gjitha rrugët e vendit. Radarët e gjeneratës së re, dronët vëzhgues dhe automjetet inteligjente po shërbejnë si një mekanizëm efikas për identifikimin në kohë reale të tejkalimit të shpejtësisë dhe shkeljeve të tjera që cenoje sigurinë e udhëtarëve.

Gjithashtu, kreu i Ministrisë së Brendshme nëvizoi se hapi më i rëndësishëm strategjik në këtë drejtim do të jetë jetësimi i plotë i infrastrukturës teknologjike dixhitale në qytetet kryesore.

“Me zbatimin e projektit #SmartCity do të bëjmë një kapërcim epokal për sigurinë rrugore dhe atë publike në tërësi në Shqipëri,” u shpreh Ministri Lamallari, duke nënvizuar se digjitalizimi do të rrisë monitorimin jo vetëm mbi rrugët, por mbi të gjithë territorin publik.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme