Nga juria, të ftuarit dhe këngëtarët/ Prezantuesit Salsano Rrapi dhe Arilena Ara zbulojnë çfarë do të ndodhë në Fest ’64
Këngëtarja Arilena Ara dhe aktori i humorit Salsano Rrapi do të jenë prezantuesit e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar që do të zhvillohet në datat 17-18-19 dhe 20 dhjetor dhe ku do të garojnë 28 këngëtarë me këngët e tyre përkatëse.
Duke folur në emisionin “Tema e Ditës” të Arbër Hitajt, Salsano Rrapi dhe Arilena Ara treguan se si u bënë pjesë për të qenë prezantuesit e Fest 64 dhe zbuluan disa nga surprizat e netëve që do të shoqërojnë festivalin.
“Unë prita ftesën nga vetë drejtoresha artistike, Elhaida, nga mikesha ime gjithashtu. Mendoj se festivali i fundvitit siç tha Salsano futesh në histori është pjesë e historisë. Prandaj në një njëjtën kohë është përgjegjësi dhe ishte surprizë, ishte interesante. I thashë më duhet pak kohë të mendoj, dhe më duhet pak kohë të flas edhe me ekipin tim se është një gjë që nuk mund ta marr përsipër me një po apo jo? Nuk është kaq kollaj të mbash 4 mbrëmje gala live përpara qindra dhe mijëra shqiptarëve. Nuk është njësoj si çdo gjë tjetër që kam bërë në skenë më përpara por në fund në finale është kënaqësi dhe e pranova me kënaqësi”, u shpreh Arilena Ara.
Salsano Rrapi theksoi se nuk ka një kompeticion të tillë në Shqipëri që ka jetuar kaq gjatë.
“Duan s’duan ata që e shohin çdo gjë me skepticizëm, me kritika, ky është festivali i 64 rresht, brand është pak ta thuash. Nuk besoj se ka një kompeticion të tillë në Shqipëri që ka jetuar kaq gjatë.
Sigurisht që ky është një televizion publik dhe ka shumë arsye për të jetuar gjatë, por gjithsesi në këto vite të Shqipërisë dhe gjithë këto ndryshime që nga koha e komunizmit e deri tani.
Në fakt unë s’jam njohur kurrë me Arilenën, madje nuk e kam parë kurrë live, i kam dëgjuar këngët dhe ishte një “dashuri artistike me shikim të parë” . Është shumë e ngrohtë, çdo gjë që u krijua që në fillim dhe mendoj se do të jemi një çift shumë i interesant në prezantimit e festivalit”, theksoi ai.
Sa i përket përgatitjeve për prezantimin e 4 netëve të Festivalit të Këngës në RTSH Salsano Rrapi tha se “përgatitjet po shkojnë mirë. Mund të them që skena është shumë e bukur. Sa erdhëm nga një provë që ishte në nivelet e gjenerales, me këngët, me moderimin, me këngët dhe na shkoi mirë. Jemi mirë deri tani”.
Prezantuesit Salsano Rrapi dhe Arilena Ara zbuluan edhe disa nga detajet e Fest 64. Arilena Ara theksoi se festivalin do ta shoqërojë një frymë moderne që ngjason edhe me atë të stilit ‘MTV’.
“Hapja do të ketë performanca me të ftuar specialë. Do jenë dy, do të jetë e ngjeshur, nuk do t’i lodhim shikuesit, ka një frymë moderne mendoj në festivalin e fundvitit gjë që ka ardhur të paktën në vitet e fundit kur unë e kam ndjekur intensivisht. Ka talente shumë të mira. Ka këngë shumë të bukura. Vijnë të gjithë me performanca, me skenografi. Mirë e tha edhe Salsano që skena është vërtet shumë e bukur. Është vërtet e stilit ‘MTV’. Ne kemi një debutim që do të bëjmë nga shkallët me një hyrje shumë speciale këtë vit. Do jetë shumë interesante kjo pjesë”, tha ajo.
Salsano Rrapi u ndal te këngëtarët e rinj për të cilët tha se “ajo që ma ka rënë në sy është se këngëtarët e rinj janë shumë të talentuar. Këta që debutojnë për herë të parë. Në dy net janë 10 këngëtarë debutues që do të konkurrojnë më vete, nga të cilët vetëm 5 do të kalojnë në finale. Sot më bëri përshtypje për një këngë që e duartrokiti orkestra. Dhe po të duartrokiti orkestra do të thotë që kënga është e bukur shumë”
Sa i përket të ftuarve, përveç këngëtarit dhe artistit estonez, i cili tashmë u e ditur se do të jetë i ftuar në natën finale, Salsano Rrapi zbuloi se i ftuar do të jetë edhe tenori i Kosovës, Rame Lahaj që sipas Arilena Aras, do të jetë edhe kreu i jurisë së festivalit.
Gjithashtu, Salsano Rrapi bëri të ditur se në natën e tretë do të jenë të ftuar këngëtarët që kanë bërë histori në Festivalin e Këngës në RTSH.
“Në natën finale do të jetë i ftuar këngëtar estonez Tommy Cash. Mbase mund ta themi, se një nga tenorët më të mirë shqiptarë që ka sot gjithë trevat shqiptare, është tenori i Kosovës Rame Lahaj, që do të jetë i ftuar.
Në natën e dytë do të këndojë Arilena. Në natën e tretë do të jenë të ftuar këngëtarët ‘big’ që kemi ne në vite në historinë e festivaleve shqiptare”, u shpreh Salsano Rrapi.
Nga ana e saj Arilena Ara tha më tej se “finalja është surprizë edhe për ne, e kemi marrë hap pas hapi këtë duke u përqendruar te nata e parë dhe nata e dytë duke qenë edhe në varësi të finalistëve që do të jenë në natën finale. Nuk është e parashikueshme ende. Do të jetë një festë më vete, do jetë një natë festive. Tenori i jurisë është tenori Rame Lahaj, kaq mund të themi. Po juria do të jetë interesante”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




