Nga ndarja territoriale tek interpelancat, Kuvendi mblidhet në seancë plenare

Politikë | 5 orë më parë

Kuvendi i Shqipërisë nis këtë të enjte seancën plenare, në rendin e ditës së së cilës janë përfshirë 18 pika. Punimet nisën në orën 10:00 me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 5 tetorit. Në fokus të seancës janë interpelancat me ministrat, ndryshimet administrativo-territoriale, si dhe projektvendimi për ngritjen e një komisioni hetimor për shoqërinë shtetërore “KAYO”.

Një nga pikat kryesore është interpelanca urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Në vijim, Kuvendi do të zhvillojë edhe dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, si dhe një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj. Në rendin e ditës është përfshirë edhe shqyrtimi i projektligjit për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore.

Deputetët pritet të shqyrtojnë gjithashtu një sërë ndryshimesh ligjore, mes tyre ato për bankat dhe sistemin e pagesave, mbrojtjen e mjedisit, treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale, markat tregtare dhe patentat. Seanca do të vijojë edhe me ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, si dhe me marrëveshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar.

Një tjetër çështje e rëndësishme është projektvendimi për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO”. Sipas dokumentit të Kuvendit, komisioni do të ketë në fokus veprimtarinë e “KAYO” lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit, si dhe proceset e prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.

Rendi i ditës së seancës plenareDownload

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme