Ngarkesa në urgjencën e Gjirokastrës, rreth 70 raste në ditë me infeksione dhe probleme kardiake

Shëndet | 2 muaj më parë

Gjatë kësaj periudhe, që përkon me pikun e sezonit turistik, në urgjencën e spitalit rajonal të Gjirokastrës është shënuar një rritje e ndjeshme e numrit të pacientëve.

Çdo ditë paraqiten rreth 60 deri në 70 raste me simptoma të ndryshme, ku dominojnë infeksionet tipike të stinës, virozat si dhe problematikat kardiake. Fluksi i shtuar lidhet jo vetëm me temperaturat e larta, por edhe me praninë e madhe të vizitorëve.

Sipas shefes së shërbimit të pranimit në urgjencë, Jona Leka, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar edhe raste të shumta nga turistë të huaj që vizitojnë vendin tonë.

“Në urgjencën e spitalit rajonal të Gjirokastrës është rritur numri i rasteve me infeksionet që janë tipike në fakt të kësaj periudhe, që janë infeksionet që prekin traktin tretës. Dua të them gastroenteritet që janë me barkë të vjella, me temperaturë. Kjo mund të vijë edhe si pasojë e konsumimit të ushqimeve jo cilësore të marra jashtë shtëpisë, por edhe si pasojë e virozave tipike që janë të kësaj periudhe. Problematikat e zemrës nuk kanë qenë të pakta. Problemet e hipertensionit, problemet e aritmisë, të goditjeve në zemër, por është shtuar shumë edhe numri i rasteve me goditje në tru”, tha ajo.

Bluzat e bardha të spitalit rajonal të Gjirokastrës apelojnë për më shumë kujdes gjatë kësaj stine. Ata këshillojnë qytetarët dhe turistët që të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes me ushqimin. Respektimi i këtyre këshillave ndihmon në parandalimin e problemeve shëndetësore dhe në lehtësimin e situatës në shërbimet e urgjencës.

Gazetare: B. Pëllumbi       

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme