Ngritja e Liceut të Ri Francez në Korçë/ Kumbaro: Gati projektligji, nis puna për godinën

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro ka bërë të ditur se ka nisur zyrtarisht puna për ngritjen e Liceut të Ri Francez në qytetin e Korçës. Kumbaro njoftoi edhe miratimin e projektligjit përkatës nga qeveria për krijimin e këtij institucioni të ri në sistemin e arsimit parauniversitar.
Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi se ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin arsimor mes Shqipërisë dhe Francës, duke i kthyer arsimit shqiptar një traditë historike në një format bashkëkohor.
Ministrja sqaroi se prej dy vitesh Ministria e Arsimit ka punuar intensivisht për përgatitjen e kurrikulave të përafruara, për një lice francez me orientim shkencor dhe teknologjik.
“Qeveria ka miratuar projektligjin për ndërtimin e Liceut Francez të Korçës, për krijimin e një institucioni të ri në arsimin parauniversitar. Kemi dëgjuar shpesh të flitet për Liceun Francez, edhe në historinë e arsimit shqiptar, por kësaj here flasim për një shkollë të re, e cila do të dalë me një diplomë të përbashkët, si për maturën shqiptare ashtu edhe për atë franceze, falë një marrëveshje mes dy qeverive tona, iniciativës së përbashkët të Presidentit Macron dhe Kryeministrit Edi Rama. Ministria e Arsimit prej dy vitesh ka punuar shumë fort, janë përgatitur të gjitha kurrikulat e përafruara, për një lice francez për orientim shkencor”, u shpreh Ministrja Mirela Kumbaro.
Duke treguar risitë e kësaj shkolle, Kumbaro tha se bëhet fjalë për një shkollë publike, falas për nxënësit shqiptar, projekti i ri sapo ka nisur në Korçë së bashku me klasat e reja, bibliotekën, laboratorët, mensën. “Është falas për fëmijët shqiptarë, por e hapur edhe për nxënës nga rajoni”, u shpreh ajo.
Liceu Francez i Korçës do të jetë një gjimnaz me orientim shkencor, në tre gjuhë: shqip, anglisht dhe frëngjisht.
Ministrja e Arsimit, në komunikimin e saj, u shpreh se ligji parashikon kurrikula të njehsuara me ato të Francës, si edhe mësimdhënie nga mësues francezë, përkrah mësuesve shqiptarë për lëndët që zhvillohen në shqip si gjuha shqipe, letërsia, historia e Shqipërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




