Nis edicioni i parë i Festivalit KIIFF/Kineastë nga e gjithë bota mblidhen në Kuçovë, nga 13 deri më 18 tetor

Kulturë | 1 orë më parë

Kuçova bëhet për gjashtë ditë me radhë një pikëtakim i kinemasë, artit dhe dialogut kulturor ndërkombëtar. Nga 13 deri më 18 tetor, qyteti i naftës dhe aviacionit mirëpret edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Pavarur, KIIFF, një nismë e re kulturore që synon ta vendosë Kuçovën në hartën e festivaleve të rëndësishme të filmit.

Kinemaja historike “Kadri Roshi” do të kthehet në epiqendrën e këtij aktiviteti, duke sjellë për publikun premiera filmash, retrospektiva, diskutime profesionale, takime me autorë dhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Interesi për edicionin e parë të festivalit është i konsiderueshëm. Sipas organizatorëve, në këtë festival  janë regjistruar rreth 3 mijë e 200 aplikime, me krijime filmike nga afro 40 vende të botës, duke dëshmuar përmasat ndërkombëtare që synon të marrë kjo ngjarje kulturore.

Në konkurrim do të përfshihen katër kategori: filmi me metrazh të gjatë, filmi me metrazh të shkurtër, filmi i animuar dhe dokumentari. Veprat do të vlerësohen nga figura të njohura të kulturës dhe medias shqiptare, mes tyre Rajmonda Bulku, Petrit Beci, Beti Njuma, Valentin Veizi dhe Klodiana Misto.

“Është konferenca e parë që ngre siparin e festivalit botëror të filmit të pavarur në Kuçovë, i cili do të zhvillohet nga data 13 tetor, pra duke filluar nga dita e sotme, deri më 18 tetor, ditën e çlirimit të qytetit të Kuçovës. Dihet që është një konkurrim i fortë, do të thosha, pasi është në shkallë botërore dhe ka pjesëmarrës e kërkesa mjaft të shumta.

Neve na u afruan rreth 3 200 filma nëpërmjet platformës më të madhe që përdoret për organizimin e festivaleve, FilmFreeway. Por, gjatë procesit të përzgjedhjes, nuk mundëm t’i përfshinim të gjithë. Na vinte keq për filmat që nuk përzgjidheshin, pasi vumë re se të gjithë kishin një gjuhë kinematografike mjaft të lakmueshme. Kështu që mendojmë se edhe filmat që janë përzgjedhur janë të një niveli të mirë”

Festivali organizohet me iniciativën e Bashkisë së Kuçovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Qendrën Kombëtare të Kinematografisë.

Me edicionin e tij të parë, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Pavarur në Kuçovë synon të hedhë themelet e një tradite të re kulturore, duke e kthyer qytetin në një hapësirë takimi për kineastë, regjisorë, producentë dhe artistë nga e gjithë bota.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme