“Një ditëlindje pa Mirush Kabashin” – Ekspozitë, promovim libri dhe dokumentar në Shkodër
Në një mbrëmje të veçantë artistike, të zhvilluar në Kinema “Republika”, u nderua figura e aktorit të shquar, lindur në Shkodër, Mirush Kabashi, me titullin simbolik “Një ditëlindje pa Mirushin”.
Në kuadër të aktivitetit u hap një ekspozitë fotografike me titullin “Mes teatrit dhe filmit”, u promovua libri dygjuhësh “Mirush Kabashi, Sokrati Shqiptar” i autores Driada Dervishi, si dhe u shfaq dokumentari “100 maska, 1 shpirt”, i regjisorit Elidor Markja.
Në intervistë për mediet, regjisorja Driada Dervishi foli për vlerat e pazëvendësueshme që Mirush Kabashi la në artin skenik shqiptar.
“Mendoj që fokusi dhe reflektimi mbi figurën e madhe që Mirushi ishte vjen nëpërmjet thënieve të shumta, intervistave të ndryshme të marra në momente të caktuara, nga teatrologë, aktorë, regjisorë të njohur ndërkombëtarë,” tha autorja e librit, znj. Dervishi.
Menda Kabashi, vajza e aktorit të ndjerë, u shpreh se prania e tij ndihet çdo ditë në kujtimet dhe krijimtarinë artistike që realizoi.
“… dyfish e emocionuar, pasi Shkodra është edhe vendi ku im atë lindi dhe ka një kuptim të veçantë të transmetojmë dokumentarin, librin, monografinë dhe të kemi Shkodrën të pranishme këtu,” u shpreh vajza e aktorit të ndjerë.
Ky aktivitet u zhvillua me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe institucioneve të kulturës në vend.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




