Bordi i Paqes, Trump udhëheq takimin e parë: SHBA, 10 mld dollarë për Gazën, 7 mld aleatët. Shqipëria dhe Kosova, të gatshëm të kontribuojnë me trupa

Presidenti amerikan Donald Trump ka kryesuar takimin e parë të Bordit të Paqes. Trump njoftoi se SHBA do të kontribuojë me 10 miliardë dollarë në Gaza, ndërsa 7 miliardë dollarë do të jenë nga aleatët.
Trump përmend edhe Shqipërinë dhe Kosovën, teksa thotë se kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar me trupa dhe forca policore për të ruajtur stabilitetin në Gazë.
“Jam i kënaqur të njoftoj se Kazakistani, Azerbajxhani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Maroku, Bahreini, Katari, Arabia Saudite, Uzbekistani dhe Kuvajti kanë kontribuar më shumë se 7 miliardë dollarë për paketën e ndihmës“, tha Trump.
Po ashtu, ai përmendi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, duke i vlerësuar si një shembull pozitiv bashkëpunimi: “Çfarë pune që keni bërë! Shumë mirë. Po shkoni shumë mirë me njëri-tjetrin dhe kur të mos shkoni mirë më merrni në telefon dhe e zgjidhim këtë punë,” tha Trump.
Trump shpalli dhëndrin Jared Kushner si “i dërguar i paqes”, me fokus në Gaza, Ukrainë dhe Iran. Ai paralajmëroi se brenda pak ditësh do të shihet nëse do të arrihet një marrëveshje me Iranin ose “do të ndodhin gjëra të këqija”, duke nënvizuar se SHBA nuk do të lejojë Teheranin të ketë armë bërthamore.
Trump kritikoi disa vende që refuzuan të bashkohen me Bordin e Paqes, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Norvegjinë, Suedinë dhe Slloveninë, duke thënë se “nuk mund të luajnë me mua”.
Trump: Shqipëria dhe Kosova do të kontribuojnë me trupa në Gazë
Presidenti Donald Trump ka deklaruar sot se disa shtete kanë rënë dakord të kontribuojnë me trupa për të ruajtur stabilitetin në Gazë.
Midis vendeve për të dërguar trupa në Gazë është edhe Shqipëria bashkë me Kosovën.
“Shqipëria, Kosova dhe Kazakistani kanë shfaqur gatishmërinë për të kontribuar me trupa dhe forca policore për të ruajtur stabilitetin në Gazë”, u shpreh Trump gjatë fjalimit të tij në Bordin e Paqes.
Në kuadër të planit të Trumpit për paqe dhe rindërtim pas armëpushimit të brishtë në rajon, Bordi krijuar nga Trump parashikon dërgimin e trupave për të mbikëqyrur rindërtimin dhe sigurinë në Gazë.
Gjithashtu shtetet e konfirmuara deri tani si Indonezia dhe Maroku “kanë angazhuar të gjitha trupa dhe policë për të stabilizuar Gazën”.
Trump shtoi se vende të tjera si Egjipti dhe Jordania po ofrojnë ndihmë të konsiderueshme për të krijuar një forcë policore palestineze “të besueshme”.
Ky zhvillim vjen teksa po mbahet Bordi i Paqes ku janë mbledhur përfaqësues nga mbi 40 vende, midis tyre por ka hasur kritika sepse disa aleatë kryesorë evropianë mungojnë, dhe ka shqetësime se mund të krijojë një alternativë ndaj OKB-së.
Plani përfshin edhe premtime për miliarda dollarë për rindërtim (deri tani rreth 5 miliardë të angazhuara nga anëtarët), por suksesi varet nga çarmatosja e Hamasit dhe bashkëpunimi rajonal.
Forca stabilizuese nuk pritet të vendoset menjëherë, por në javë ose muaj. Kjo është pjesë e përpjekjeve të administratës Trump për të krijuar një “rend të ri” në Gazë, me fokus në siguri, rindërtim dhe paqe afatgjatë. Situata mbetet e brishtë, dhe shumë detaje do të sqarohen në ditët në vijim.
Bordi i Paqes, Trump flet për Kosovën dhe Serbinë: Kanë bërë punë shumë të mirë
Në takimin inaugurues të Bordit të Paqes, Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka përmendur Kosovën dhe Serbinë. Ai i ka vlerësuar për përpjekjet e tyre në ndërtimin e marrëdhënieve më të mira.
“Mund të ngriheni në këmbë. Çfarë pune që keni bërë, e vlerësojmë! Po shkoni mirë me njëri-tjetrin dhe kur të mos shkoni mirë me njëri-tjetrin më merrni në telefon,” tha Trump gjatë fjalës së tij.
Takimi i Bordit të Paqes po zhvillohet në Uashington, ku marin pjesë liderë të ndryshëm ndërkombëtarë, përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama bdhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Trump theksoi se paqja është “gjëja më e kushtueshme” dhe se ky forum synon të sjellë zgjidhje konkrete për konfliktet globale.
Bordi i Paqes, Trump emëron Jared Kushner si “të dërguarin e paqes”
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se do të emërojë dhëndrin e tij, Jared Kushner, në rolin e “të dërguarit të paqes”.
Kushner ka punuar ad hoc për qeverinë për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, duke u fokusuar kryesisht në Gaza dhe, kohët e fundit, Rusi-Ukrainë dhe Iran. Gjatë mandatit të parë të Trump, ai shërbeu si këshilltar i lartë.
Gjatë fjalimit të tij, Trump e cilësoi këtë nismë si një nga më të rëndësishmet e mandatit të tij.
Trump mirëpriti liderë botërorë, të cilët i quajti “miqtë e mi të jashtëzakonshëm”, dhe shprehu optimizëm se më shumë vende do të pranojnë ftesën e SHBA-së për t’u bërë pjesë e forumit.
Megjithatë, ai kritikoi disa shtete që refuzuan të marrin pjesë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Norvegjinë, Suedinë dhe Slloveninë, duke thënë se “nuk mund të luajnë me mua”.
Trump inauguron Bordin e Paqes, përshëndet kryeministrin Rama dhe liderët e tjerë
Në inaugurimin e parë të Bordit të Paqes në Washington, D.C., presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, drejtoi takimin duke e cilësuar këtë nismë si një nga përpjekjet më të rëndësishme të administratës së tij për t’i dhënë fund konflikteve në botë.
Gjatë fjalës së tij, Trump theksoi se Bordi i Paqes është “bordi më prestigjioz” dhe falënderoi udhëheqësit e pranishëm për pjesëmarrjen në atë që e quajti një takim të rëndësishëm. Ai u shpreh se “pothuajse të gjithë janë pranuar” në këtë iniciativë, ndërsa shtoi se edhe ata që ende nuk janë bashkuar, do të pranohen.
Presidenti amerikan u ndal edhe te qëndrimet e disa palëve, duke deklaruar se “nuk mund të luash si i lezetshëm me mua”, duke lënë të kuptohet për sfidat diplomatike në proces.
“Çfarë po bëjmë është shumë e thjeshtë: paqe. Quhet Bordi i Paqes dhe ka të bëjë me një fjalë të lehtë për t’u thënë, por një fjalë të vështirë për t’u prodhuar: paqe,” tha ai.
Në përfundim, Trump theksoi se do të punohet për krijimin e një të ardhmeje më të ndritur për popullin e Gazës dhe për rajonin e Lindjes së Mesme, duke e paraqitur Bordin e Paqes si një hap konkret drejt stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Bordi i Paqes është një nga gjërat më të rëndësishme ku jemi përfshirë dhe së bashku me njerëzit këtu kemi punuar për t’i dhënë fund luftërave të tjera. Ne duam të themi që ky është bordi më prestigjioz, falënderoj shumë udhëheqës që janë këtu për këtë takim të rëndësishëm që po zhvillojmë sot. Pothuajse të gjithë janë pranuar, dhe ata që nuk e kanë pranuar, do të pranohen. Disa po luajnë rolin e një të lezetshëm – nuk funksionon, nuk mund të luash si i lezetshëm me mua. Do punojmë së bashku për të krijuar një të ardhmen e shndritshme të popullit të Gazës dhe Lindjes së Mesme”, tha Trump.
Pjesë e takimit është edhe kryeministri Edi Rama, ku në drejtimin dhe përshëndetjen e të gjithë liderëve të Presidenti Trump vlerësoi praninë e tij, duke e cilësuar si një nder për takimin.
“Sot jemi të nderuar se na bashkohet kryeministri Rama i Shqipërisë,” u shpreh ai, ndërsa shtoi se mbështet liderët me të cilët ndan qëndrime të përbashkëta.
“Sot jemi të nderuar se na bashkohet kryeministri Rama i Shqipërisë. Presidenti i Argjentinës, e mbështes. Kur më pëlqejnë njerëzit i mbështes. Tani mbështes liderët e huaj, duke përfshirë Viktor Orbanin e Hungarisë. Kam mbështetur kryeministren e Japonisë që fitoi garën më të fundit. Kemi presidenten Osmani, faleminderit, po bëni një punë të madhe, – u shpreh Trump.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




