Noduset në tiroide, mjekja: Diagnostikimi i hershëm dhe monitorimi, thelbësorë për menaxhimin e duhur
Noduset në tiroide janë një nga gjetjet më të shpeshta që zbulohen gjatë ekzaminimeve të gjëndrës tiroide. Endokrinologia Jona Troshani thekson rëndësinë e vlerësimit të tyre për të përcaktuar mënyrën e duhur të ndjekjes.
“Noduset e tiroides janë çrregullime të rritjes së gjendrës tiroide, zakonisht në formë të rrumbullakët, të cilat hasen shpesh në popullatë. Tiroidja mund të zmadhohet me kalimin e moshës dhe të krijojë formacione në trajtën e kisteve apo deformimeve të vogla, të cilat më pas mund të rriten. Incidenca e tyre është në rritje falë përmirësimit të teknikave imazherike, të cilat na lejojnë t’i zbulojmë në faza më të hershme, kur ato janë ende të vogla’, tha mjekja.
Ajo ndalet edhe te rastet kur një nodus kërkon vlerësim më të detajuar dhe ekzaminimet që rekomandohen.
“Zakonisht noduset janë asimptomatikë, por kur pacienti paraqet vështirësi në frymëmarrje, vështirësi në gëlltitje, ose kur referon se nodusi është rritur në mënyrë të shpejtë, ne e vlerësojmë përmes ekos, analizave laboratorike dhe teknikave më specifike, siç janë aspirimi me age të hollë, skaneri apo edhe shintigrafia”, tha mjekja.
Po në cilat raste nevojitet trajtimi dhe kur mjafton ndjekja periodike?
“Pjesa më e madhe e noduseve të tiroides janë me natyrë beninje dhe kërkojnë vetëm monitorim të vazhdueshëm. Vetëm një përqindje e vogël e rasteve kanë nevojë për trajtim, i cili mund të jetë kirurgjikal ose me terapi me jod radioaktiv, në varësi të vlerësimit mjekësor” nënvizon ajo.
Kontrollet e rregullta dhe vlerësimi nga mjeku specialist mbeten thelbësore për menaxhimin e duhur të noduseve në tiroide.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





