Operacione me mikroskop digjital – Ndërhyrjet delikate në shtyllën kurrizore ose në tru, më të “sigurta”

Shëndet | 1 vit më parë

Kirurgjitë e trurit dhe të shtyllës kurrizore do të mund të kryhen tanimë përmes mikroskopit digjital “Aesculap Aeos”.

Fatin e përdorimit të kësaj teknologjie të lartë do ta kenë neurokirurgët e QSUT-së, të cilët, përmes teknologjisë së avancuar që ofron ky mikroskop duke zmadhuar në ekran pamjen e zonës ku ndërhyhet gjatë operacionit, do të mund të realizojnë hyrje në zona të thella pa bërë dëmtime.

Shefi i Neurokirurgjisë, Artur Xhumari, tregon se mikroskopi digjital sjell përfitime në disa nivele.

“I sëmuri do të ketë mundësi të përfitojë një operacion të sigurt. Ne kemi operacione qëjanë të standardit të zakonshëm, të komplikuar dhe shumë të komplikuar. Ky mikroskop do të na lejojë ne të shtojmë numrin e të sëmurëve që u ofrojmë një operacion shumë të komplikuar”, thotë mjeku.

Një tjetër përfitim është koha dhe bashkëpunimi në grup i stafit gjatë ndërhyrjes falë shpërndarjes “live” të imazheve të operacionit. Prof. Xhumari tregon se ndërhyrja e parë që u realizua me mikroskopin e ri këtë të martë zgjati 12 orë, ndërkohë që me mikroskopin optik kjo kohë arrin në 14 orë.

“Shkurton kohën e operacionit duke ulur rrezikun e infeksionit dhe ditëqëndrimet në spital. Shton bashkëpunimin në staf. Me mikroskopin e kaluar, atë optik, imazhin e ndërhyrjes në zonë e shihte vetëm kirurgu, ndërsa tani e shohim të gjithë, edhe studentët e Mjekësisë që janë aty për të mësuar. Falë imazheve live të ndërhyrjes, kolegu mund të asistojë kolegun nëse ndodhet përballë një të papriture”, thekson mjeku Xhumani.

Në neurokirurgji realizohen rreth 1.700 ndërhyrje të shpërndara në tri salla operatore. Nga këto, rreth 30% prej tyre kanë nevojë për këtë pajisje digjitale, e cila e ngre neurokirurgjinë në një tjetër nivel.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme